Të gjithë sytë nga Mynihu, “Pancerat” sfidojnë Skocinë në ndeshjen hapëse të Euro 2024

schedule10:56 - 14 Qershor, 2024

schedule 10:56 - 14 Qershor, 2024

Ishte padyshim një sezon spektakolar, duke filluar “Aspirinat” e Bayer Leverkusen që përjetuan një “histori hirusheje”, me 51 sfida pa humbje, ku siguruan edhe titullin e parë kampion të Bundesliga e deri te rrugëtimi i gjatë i Borussia Dortmund, në finalen e UEFA Champions League, aty ku Real Madrid nuk “fali” kundërshtarët, duke fituar titullin e 15-të në histori.

Tani është kohë për të përjetuar emocione edhe më të forta, ku prej mbrëmjes së kësaj të premteje e deri më 14 korrik do të ndjekim “magjinë” e Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, ku këtë herë pjesëmarrës, për herë të dytë në histori, janë edhe “Legjionarët” e Kombëtares sonë falë punës fantastike dhe harmonisë që krijoi tekniku Sylvinho.

Kështu, në mitikun e Mynihut, “Allianz Arena”, “Pancerat” e Gjermanisë do të sfidojnë përfaqësuesen e Skocisë, në një sfidë sa të lehtë aq edhe delikate, për tre herë kampionët e Evropës, të cilët pas tre zhgënjimeve radhazi, në dy Kupa Bote dhe një Evropian, tashmë do të kërkojnë të rikthehen te triumfi i madh, pikërisht në tokën e tyre.

Tekniku, Julian Nagelsmann ka të gjithë grupin gati për sfidën, që pritet të nisë në orën 21:00, ku në portë pritet të vendoset legjenda e gjallë, Manuel Neuer. Në krahët e mbrojtjes pritet të vendosen Mittlestadt e Joshua Kimmich, ndërsa qendra plotësohet nga finalistët e Champions League, Nico Schlotterbeck e Antonio Rudiger, në një “mur” të pakalueshëm.

Para mbrojtjes vendoset “truri” i skuadrës, “arkitekti”, Toni Kross, i cili si partner në këtë repart pritet të ketë “motorrin” e mesfushës së Bayer Leverkusen, Robert Andrich dhe tanimë vjen pjesa më e bukur. Në repartin ofensiv janë e ardhmja e sulmit gjerman, Jamal Musiala e Florian Ëirtz, të cilët, të shoqëruar nga “veterani”, Ilkay Gundogan pritet të jenë në mbështetje të “bomberit”, Niclas Fullkrug.

Komplet tjetër është situata për “ishullorët” kundërshtarë, me skuadrën e drejtuar nga tekniku, Steve Clarke, që padyshim do të kërkojë surprizën e madhe, dhe pse jo një kualifikim historik, për më tej ku padyshim, me lojtarë si Andreë Robertson, John McGinn, Scott McTominay e Billie Gilomour pritet të luajnë të gjitha “kartat”, për të dalë me kokën lart nga ky kompeticion. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!