Të gjitha të dhënat: LDK-ja partia e parë në zgjedhjet lokale

schedule17:00 - 3 Nëntor, 2021

schedule 17:00 - 3 Nëntor, 2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka certifikuar rezultatet për kuvendet komunale, të zgjedhjeve të 17 tetorit, raporton Express

Sipas këtyre rezultateve, Lidhja Demokratike ka dalë partia më e votuar në vend. Pas LDK-së renditët Lëvizja Vetëvendosje, e në vendin e tretë Partia Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet e 17 tetorit kanë ndryshuar renditjen që kishin partitë politike në ato nacionale.

Partia më e votuar ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës, me 170 mijë e 134 vota. Pas saj renditet Lëvizja Vetëvendosje me 168 mijë e 84 vota.

Partia Demokratike e Kosovës është renditur e treta, me 161 mijë e 645 vota, derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbetur e katërta, me 90 mijë e 863 vota.

Ndërkaq sa iu përket kuvendeve komunale, LDK dhe PDK kanë siguruar nga 206 asamblistë në nivel vendi.

LVV këtu renditet e treta, duke siguruar 194 ulëse, ndërkaq AAK 121.

Ndryshe, në 17 komuna është vendosur fituesi në raundin e parë, ndërkaq 21 të tjera do të garojnë në raundin e dytë në balotazh, më 14 nëntor./GazetaExpress/