Një ditë pas dorëheqjes së sekretarit të Shtëpisë së Bardhë, i akuzuar për dhunë në familje, hije dyshimi janë ngritur mbi politikat dhe filozofinë e stafit të presidentit Trump, që sipas CNN është i prirur të mbulojë skandalet vetëm e vetëm për qëllime përfitimi.
Dorëheqja e një dite më parë e sekretarit të Shtëpisë së Bardhë, i akuzuar për dhunë në familje, ka bërë që hije dyshimi të bien mbi mënyrën se si funksionon stafi i ndërtesës më të fuqishme në botë. Në një analizë të CNN, përgjegjësia bie mbi personin që është shefi i personelit, John Kelly, ish-gjenerali i dekoruar që tashmë bën ligj në atë që njihet si Krahu Perëndimor. Sipas rrjetit informativ amerikan, Kelly ka qenë në dijeni të dhunës që vartësi i tij ushtronte ndaj ish-bashkëshorteve, por kjo nuk e ka penguar atë që ta mbështesë e madje ta promovojë, duke e kthyer në një figurë kyçe të oborrit të presidentit Trump.
Duke parë serinë e shkarkimeve dhe dorëheqjeve në radhët e stafit të kreut të shtetit, CNN shkruan se rasti i Porter është sjellja e radhës “politikisht jokorrekte” e Kellyt. Fillimisht Kelly-t iu dhanë një sërë kreditesh, me idenë se do të vendoste rregull ushtarak në rrëmujën që kishte përfshirë selinë presidenciale. Por tashmë, qëndrimi ndaj çështjes së Porter ka bërë që të ngrihen pikëpyetje mbi filozofinë e tij politike. CNN thotë se, më tepër sesa është përpjekur t’i sheshojë mosmarrëveshjet në radhët e personelit, Kelly është përfshirë personalisht në to duke e bërë edhe më të madhe rrëmujën.
Edhe deklaratat e fundit të bëra prej tij për çështje si emigracioni apo racizmi tregojnë se ai është në sintoni me filozofinë populiste dhe nacionaliste të Trump. Rrjedhimisht, vijon analiza, është Trump që ka ndryshuar më shumë Kelly-n sesa Kelly Trumpin dhe tani ai po tregon pjesë të karakterit prej ish-marinsi kokëkrisur, që prej vitesh ishin fshehur prapa doktrinës së disiplinës ushtarake./abcnews.al