Të fshehtat e listave të PS, kush fiton dhe kush e pëson: Në Durrës do të “hanë” njëri-tjetrin, “kleçka” në Tiranë

schedule16:21 - 9 Mars, 2021

schedule 16:21 - 9 Mars, 2021

Nga Ermal Mulosmani

Publikimi i listave të kandidatëve për deputetë, në kontekstin e ndryshimeve të fundit kushtetuese, ishte një ngjarje që pritej me mjaft kuriozitet nga publiku. Si do i menaxhonte Partia Demokratike kërkesat e ekzagjeruara të aleatëve dhe sa do të krijonte pakënaqësi brenda anëtarsisë së saj sakrifikimi i emrave me reputacion për hir të akomodimit të aleatëve?

A ishte kuptuar sa duhet fakti që “lista e hapur” është një mundësi për të shfrytëzuar kapacitetet elektorale ambicioze duke i renditur në numrat e poshtëm, të parëndësishëm të listës? A është kuptuar që luftën e vërtetë elektorale e bëjnë emrat e fundit të listës, të rrezikuarit, dhe në ato vende duheshin angazhuar potencialet më të forta elektorale? Mendoja se Partia Socialiste e kishte më të lehtë të akomodonte emrat e saj më të spikatur pasi lista e saj ishte pa koalicion. Por ajo që pashë nga publikimi i listave të Partisë Socialiste më la gojëhapur!

Lista e PS-së, veçanërisht në Durrës dhe Tiranë, është një manual mospërfillje e skrupujve moralë dhe një strategji brilante pragmatike sipas parimit makiavelian “Qëllimi justifikon mjetin”.

Nëse dje isha i sigurtë për praninë në lista të Ilir Ndraxhit dhe Paulin Sterkajt kurrë nuk mendoja se do gjendej aty edhe emri i Rrahman Rrahjas…

Rrahman Rrahja është babai i Rexhep Rrahjes, dhunuesit të Xhisiela Malokut, një vajze nga Kruja, ngjarje që u kthye në skandal mediatik dhe ndaj të cilit u mor vendim me burg nga Gjykata.  Kushëriri i tij është sot në burg për një atentat mafioz  ku humbi jetën një djalë i ri dhe u plagosën dy të tjerë!

Dëmi moral që i është bërë deputetit Rrahja nga gjithë përgojimi si sponsor i krimit do të bënte të stepej çdo Kryetar Partie për ta përfshirë në listat e veta. Por Partia Socialiste nuk pyet për etikë apo moral kur është fjala për rrezik elektoral! Qarku i Durrësit është ndër më të rrezikuarit, sondazhet e nxjerrin koalicionin opozitar fitues, mundet një ndryshim vendesh, nga 8 me 6 ne favor të PS-së në 8 me 6 në favor të kundërshtarit.

Atëherë çfarë bën Edi Rama? Vendos emrin e vet si kandidati numër 8 në listën e Durrësit. Me këtë ai tregon qartë objektivin për 8 mandate dhe nuk rrezikon asgjë për vete. Nuk rrezikon asgjë pasi ndër 60-70 mijë votuesit socialistë të Durrësit do të jenë të paktën 10 mijë prej tyre që përzgjedhin Edi Ramën si kandidatin e pëlqyer. Kjo është krejt afërmendsh, bëhet fjalë për Kryetarin e gjithfuqishëm të Partisë. Aq më tepër pas deklarimit të tij se “Do të qëndroj deputet aty ku do të marr më shumë vota”. Kjo do të fusë në garë Durrësin me Vlorën dhe ja, u bë. Mbeten 5-6 vende për 7 kandidatë.

Atëherë, kush rrezikon mandatin?

Të parët që rrezikojnë janë Lefter Koka dhe Rrahman Rrahja dy numrat përpara Ramës (6 & 7). Ata do të luftojnë për çdo votë, do të kërkojnë që të marrin sa më shumë vota personale që të zbresin nga froni të pestin! Ky është edhe qëllimi diabolik i futjes në lista me ato numra!

Lufta e tyre për të spostuar të ardhës nuk do të jetë aq e lehtë….Ai është hiç më pak sesa Ilir Ndraxhi, njeriu i përfolur nga përgjimet e dosjes së famshme të Durrësit si njeriu i mbështetur nga Avdylajt! Ky duke parë t’i rrezikohet mandati i tij do të synojë të marrë për vete vota për të mbajtur mandatin që, me gjasë mund ta humbë edhe i katërti! Ndërkohë që i treti është Jurgis Cyrbja, deputeti i përfolur në rastin Shullazi si regjistrues i Hotel Vollgës, pronës së rrëmbyer nën kërcënim dhe të denoncuar nga pronari legjitim!

Mjafton ky qark për të kuptuar çfarë etaloni moral ka pasë hartimi i kësaj liste! Aty sigurisht nuk mbetej vend për Eglantina Gjermenin, ajo e kuptoi që Durrësi është lojë e vështirë për statura si e saja… Në botën e dinosaurëve nuk ka vend për drenusha.

Mjafton kjo listë për të kuptuar sesa seriozisht e ka marrë Edi Rama rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe çfarë strategjie makiaveliane po përdor me kandidatët.

Megjithatë, edhe Qarku i Tiranës nuk është më pak.

Në Qarkun e Tiranës Rama ka punuar  fort me emrat e listës që konsiderohen humbës (numrat +20). Ai ka joshur disa deputetë të opozitës fasadë të këtij mandati si Halit Valteri, Ylli Shehu apo me një emër mjaft të njohur të komunitetit çam, Tahir Muhedini.

Strategjia është brilante: “Unë ju fus në listë ju fitojeni mandatin”! Që të fitojnë mandatin Valteri, Shehu ose Muhedini duhet të marrin në emrin e tyre mbi 10 mijë vota. Në këtë rast ata spostojnë një ndër numrat (17,18 ose 19). Që janë respektivisht Bllako, Shalësi dhe Majko. Kjo i vë në pozita frikësuese të lartpërmendurit dhe shton presionin mbi ta. Shanset që kandidatët Valteri, Shehu & Muhedini janë të mëdhaja që të sjellin vota jo të majta, pra të gërryejnë të djathtën edhe më shumë. Nga ana tjetër, shanset e tyre për të marrë 10 mijë vota janë shumë të vogla. Atëherë, çfarë ndodh nëse, fjala vjen Valteri merr 7 mijë vota, Shehu 6 mijë dhe Muhedini 5 mijë? Ndodh që ata rrinë në shtëpi ndërsa Partia Socialiste numëron në thësin e vet edhe 18 mijë vota opozitare!

Kjo strategji nuk ka pikën e moralit, të gjithë e dimë konsideratën intelektuale të Ramës për personat në fjalë. Por, kjo është një strategji fenomenale elektorale. Bën sikur i mbështet kandidatët por në fakt i shfrytëzon çdo votë të tyre për thesin tënd. Është pikërisht strategjia që kritikonte Rama kur fliste për koalicionet. “Ti voton Lulin e të del xhagajduri i Monës” thoshte atëherë. Në rastin e tij, dikush voton një çam (Muhedinin) dhe gjen deputet një xhagajdur të Ramës.   /Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!