Dy të rinj shqiptarë janë vënë në pranga nga autoritetet italiane pasi u kapën me marijuanë në një zonë të Milanos. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, ata janë 23 dhe 28 vjeç. Identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike.
Dy të rinjtë shqiptarë po udhëtonin me një makinë “Volkswagen Polo”, kur u përballën me një patrullë police. Agjentët vunë re që ata u frikësuan dhe menjëherë u kërkuan që të ndalonin.
Mirëpo shoferi provoi të arratisej, por pa sukses për shkak të trafikut të rënduar në ato momente. Pas kontrolleve u zbulua se në veturë ndodheshin 15 kilogramë marijuanë.
Sipas mediave, dy të rinjtë janë arrestuar disa ditë më parë, por njoftimi nga autoritetet ka ardhur të dielën. Sipas këtyre të fundit, lënda narkotike ishte e ndarë në 10 pako me nga 1 kilogramë e gjysmë drogë secila.
Dy të rinjtë shqiptarë u dërguan në burgun e San Vittore-s, ndërsa policia po vazhdon hetimet për të kuptuar rolin e tyre apo nëse ishin pjesë e një rrjeti më të gjerë trafiku./abcnews.al