Pritet të jetë titullar, edhe pse nuk ka luajtur shumë këtë vit. Tomas Strakosha është gardiani zyrtar i kombëtares shqiptare, dhe atij I takoi të dilte përpara gazetarëvr për të folur për ndeshjen ndaj Serbisë në eliminatoret e Botërorit, së bashku me Arbër Hoxhën.
“Nuk e shikoj veten personalisht, duhet të punojmë të gjithë si grup. Ata janë një grup i mirë, por edhe ne kemi kualitet, e përballojmë mirë Serbinë dhe jemi gati për atë ndeshje. Deri tani po shikoj djemtë që janë të përgatitur, të emocionuar si për çdo ndeshje, e di që për tifozët është diçka më shumë. Por ne dimë që vlen për 3 pikët dhe jo më shumë, duhet të bëjmë të lumtur tifozët tanë dhe te festojmë me të. Tifozët e kanë treguar se nuk është një ndeshje si ato që kemi luajtur tani, por ne shikojmë nga ana sportive. Duhet të tregojmë që e meritojmë Botërorin dhe e shtuna është ndeshja më e rëndësishme që kemi tani për të vazhduar ëndrrën tonë, e kemi përgatitur shumë mirë deri tani, çunat janë pozitivë dhe besoj mund t’ia dalim.
Strakosha vlerëson Serbinë, por besimi nuk mungon.
“Di që në goditjet standarte janë shumë mirë, e kemi treguar që kemi një grup që mund të mbrojë mirë, por i dimë dhe gabimet tona që bëmë në Europian. Një lojtar veçmas nuk kam, por si ekip po. E kemi përgatitur ndeshjen si ekip dhe jo individualisht. Nuk kam një thirrje të veçantë, tifozët kuqezinj na kanë mbështetur si gjithmonë. Kam respekt për çdo tifoz që na ka mbështetur që nga fundi botës. Kam pasur momente edhe që nuk kam luajtur fare, jam i përqëndruar, gati dhe ndjehem mirë. Ne jemi profesionistë dhe përqëndrohemi për çdo ndeshje, do të jetë ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare për vendin e dytë ose të tretë, e shohim si ndeshje të vështirë që do të japim maksimumin, por që nuk do të mbarojë asgjë tani”
Arbër Hoxha ngacmohet se ai është shqiptar i Kosovës, pra si e ndjen ndeshjen ndaj serbëve?
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, e dimë që kundërshtari ka shumë cilësi, por po punojmë shumë mirë, po përgatitemi dhe shpresojmë e besojmë që do ta fitojmë ndeshjen. Ne jemi profesionistë, do bëjmë tonën në fushë, bëjmë më të mirën. Kjo ndeshje është e vështirë dhe vendos për një vend “play off” për në Botëror, shpresojmë të fitojmë dhe të kemi shpresë në Botëror.”