Të enjten betohen kryetarët e tre komunave veriore

schedule16:15 - 23 Maj, 2023

schedule 16:15 - 23 Maj, 2023

Kryetarët e zgjedhur në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan pritet të betohen të enjten në orën 10:00, në objektet publike të komunave dhe jo tek asambletë komunale.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ndërsa nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i thanë KosovaPress-it se gjatë ditës së sotme do të dalin me një njoftim zyrtar në lidhje përcaktimin e datës për betimin e tre kryetarëve në komunat veriore.

“Me kërkesë të MAPL-së është caktuar data 25 maj për betimin e kryetarëve në tre komunat veriore në objektet publike të komunave”, tha sekretari Gjoshi.

Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri nga radhët e PDK-së, pritet të betohen si kryetar i Zveçanit, respektivisht Zubin Potokut, kurse Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje pritet të betohet si kryetar i Leposaviqit.

Ndërkaq, të premten e javës së kaluar, Erden Atiq është betuar si kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale. Sipas KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin zgjedhor.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe. /KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!