Shërbimi i sigurisë ruse (FSB) ka arrestuar tre “spiunë ukrainas”, njëri prej të cilëve po përgatiste një sulm “me eksploziv, duke përshkallëzuar edhe më shumë tensionet mes dy vendeve. Sipas FSB-së, dy prej tyre thanë se ishin rekrutuar nga forcat ukrainase të sigurisë (SBU), në këmbim të 10,000 dollarëve.
Ndërsa i dyshuari i fundit u arrestua me dy mjete shpërthyese me një fuqi të barabartë me 1.5 kg tritol. FSB njoftoi gjithashtu dënimin e një oficeri që dyshohet se i përkiste shërbimeve të inteligjencës të ushtrisë ukrainase me gjashtë vjet e gjysmë burg nga një gjykatë ruse.
Agjenti i dyshuar, i cili u arrestua në korrik, u shpall fajtor për “koordinimin e përgatitjes dhe mbikëqyrjes së një ekipi të dërguar në Rusi nga Ukraina”. Arrestimet vijnë në mes të tensioneve në rritje midis dy vendeve, me Kievin që shpreh frikën e një pushtimi të afërt dhe Moskën që është akuzuar për mobilizimin e trupave në kufi.
/abcnews.al