Të diplomuarit e vitit të kaluar: 57% për juridik, ekonomik dhe shkenca sociale

schedule14:43 - 4 Gusht, 2018

schedule 14:43 - 4 Gusht, 2018

Nevojat e tregut të punës gjithnjë e më tepër janë për specialistë në teknologjinë e informacionit apo zanatçinj, por universitetet vijojnë të nxjerrin nga auditorët ekonomistë dhe juristë. Gati 60 % e të diplomuarve vitin e shkuar ishin në këto degë.

Juridiku, ekonomiku dhe shkencat sociale mbeten degët më të parapelqyra nga të rinjtë në vendin tonë. Vitin e shkuar gati 60% të diplomave, universitetet i kanë dhënë në këto degë.

Sipas Institutit të Statistikave në vitin 2017 në arsimin e lartë janë diplomuar 35.173 studentë, ose 11,0 % më shumë se në vitin 2016. Kryesojnë vajzat me 64,1 % ndërkohë që më shumë se gjysma kanë përfunduar programet bachelor.

Numri më i lartë i të diplomuarve është në fushat “biznes administrim dhe ligj” që shënon me 29,6 %, ndjekur nga “shëndet dhe mirëqenie” me 13,6 %, dhe “shkenca sociale, gazetari dhe informacion” me 12,2 %.

Ndërkohë nxënësit që kanë përfunduar arsimin e mesëm pësuan rënie me 5.6% krahasuar me vitin 2016. Rreth 36 mijë e 400 nxënës u diplomuan në gjimnaz apo shkollë profesionale në vitin 2017 ndërkohë që bie në sy një luhatje e vogël mes djemve dhe vajzave.

Ndërsa shkollën 9-vjeçare vitin e shkuar e përfunduan rreth 36 mijë e 500 nxënës. 1,4 %  më shumë se në vitin 2016./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!