“Të dehur në seancë”, Kuvendi përjashton me 10 ditë Palokën e Leskajn

schedule11:17 - 11 Nëntor, 2022

schedule 11:17 - 11 Nëntor, 2022

Kuvendi ka përjashtuar me 10 ditë deputetët demokratë Edi Paloka dhe Bujar Leskaj.

Vendimi erdhi pas përplasjes në seancën plenare mes tyre dhe kryeministrit Edi Rama ditën e djeshme gjatë votimit të buxhetit 2023.

“U mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën

Në drejtimin e znj. Klotilda Bushka, ditën e sotme u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për shqyrtimin e kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me fyerjen e etikës parlamentare, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 10.11.2022, nga dy deputetët, z. Bujar Leskaj dhe z. Edi Paloka.
Në zbatim të nenit 63 pika ç dhe nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro dhe 2 Kundër, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 10 (dhjetë) ditë” për deputetët z. Bujar Leskaj dhe z. Edi Paloka.”

Hyrja e Edi Ramës në sallën e Parlamentit u shoqërua me një përplasje verbale me deputetët e opozitës, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj.

Dy deputetët demokratë, i kujtuan Ramës se nuk mund të flas me gjuhë rrugaçi ndaj deputetëve të opozitës njësoj siç bëri në seancën e datës 10 nëntor  kur i konsideroi “bedela”, “llaxore”, “të pafytyrë” etj.

Lexo edhe: I dehur në Kuvend? Paloka sqaron incidentin me Ramën: I thashë je gjel plehu në Surrel, provokimet i ka taktikë

I kontaktuar nga ABC ditën e djeshme, Edi Paloka deklaroi se nuk ka qenë aspak i dehur siç deklarojnë socialistët por ka dashur të çojë në vend nderin e deputetëve demokratë.

“Absolutisht nuk kemi qenë të dehur. Por kemi qenë të revoltuar absolutisht po. Unë nuk isha në seancën e ditës së mërkurë, kur Edi Rama përdori një gjuhë rrugaçi në Parlament, ndaj kolegëve të mi parlamentarë. Sot kur ai hyri në seancë për votimin, thjesht gjeta mundësinë t’i kujtoja kush ka qenë dhe kush është. Mbase nga ata deputetë që janë në Parlament, e njoh pak më shumë Edi Ramën që kur ka qenë i ri dhe nuk mund t’i lejoj vetës dhe demokratëve të na fyej një njeri si ai. Është më minimalja që mund të bëj për demokratët të çoj nderin dhe dinjitetin e tyre në vend”, shprehet Paloka për ABC.

I pyetur për iniciativën e socialistëve për ta përjshtuar së bashku me Bujar Leskajn nga Parlamenti për 10 ditë, Paloka sqaron: “ Do të duhej që të ishte përjashtuar Edi Rama për atë gjuhë prej ordineri që përdori një ditë më parë. Janë fyerje që i kanë parë dhe dëgjuar të gjithë shqiptarët. Në ekran. Live. Këtë duhet të shohin socialistët”, theksoi Paloka për ABC./Abcnews.al/ 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!