Të arrestuarit akuzojnë ministren/ Avokatët: Për blerjen e rezervave e angazhuar drejtpërdrejt Hajdari

schedule21:19 - 19 Gusht, 2023

schedule 21:19 - 19 Gusht, 2023

Dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe biznesmenit Ridvan Muharremi, të cilët u arrestuan dje nën dyshimin për keqpërdorime me rezervat shtetërore, u është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg për një muaj”

Mahmut Halimi avokati i Muharremit, pronar i restoranti “Bukë e Zemër”, i cili është i afërt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka treguar rolin që ka pasur klienti i tij për të siguruar grurë dhe vajë për Rezervat Shtetërore.

Halimi sqaroi se klienti i tij ishte kontaktuar në mënyrë direkte nga Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, në mënyrë që të gjejë një vend ku mund të blihet vaji e gruri.

 “E ka angazhuar Ministria. Drejtpërdrejt ministrja Hajdari. E ka njohur si persona afarist, që ka një traditë jashtëzakonisht të gjatë, ka një rreth të gjerë të miqve të vetë afarist. Janë mysafir të cilët shkojnë në restorantin e tij. Ka një restorant modest ku shërbehen ushqime tradicionale. Sjellje e shkëlqyer, pritje, nuk ka shkuar vetëm kryeministri dhe ministrat, kanë shkuar plot ambasadorë të ambasadave që janë në Kosovë… Unë pres drejtësi dhe asgjë më shumë. Nëse respektohet drejtësia, klienti im as nuk ka ndihmuar askënd me kryer krim e as nuk ka kryer vetë krim”.

Referuar raportimeve ishte pikërisht Muharremi ai që qeveria e kishte angazhuar për Rezervat Shtetërore ku dyshohet të jenë keqpërdorur rreth 10 milionë euro.

Në këtë mënyrë përgenjështrohet edhe deklarata e ministres Rozeta Hajdari. Kjo e fundit të premten pati deklaruar se nuk kishte asnjë informacion që Ridvan Muharremi është në kontraktim për kontrata rreth rezervave.

Nga ana tjetër, pavarësisht fakteve të publikuara, qeveria e Albin Kurtit ka tentuar të fajësojë prokurorin për arrestimin e dy të zyrtarëve dhe biznesmenëve. Gjë që është kritikuar  nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili ka  reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit, dhe ministrave të kabinetit qeveritar.

KPK i ka cilësuar deklaratat e Kurtit, si “tendencioze, të pavërteta dhe linçuese”, teksa ka shprehur kritikat ndaj gjuhës së përdorur nga kreu i qeverisë me ministrat e tij. Në deklaratën zyrtare thuhet se ata po tentojnë “ta godasin sistemin e prokurorisë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!