Tre persona janë identifikuar nga policia dhe janë shpallur në kërkim pasi rreth 3 javë më parë u futën të armatosur në një lokal në Zejmen të Lezhës duke ushtruar kontrolle mbi klientët. Ata janë nipi i deputetit të PS Rrahman Rraja, Ramazan Rraja, 28 vjeç, Alesio Dobrozi, 31 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe Roan Brahimi, 29 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë. Nga hetimet ka rezultuar se ata kanë kërkuar kushëririn e pronarit të lokalit i cili ka pasur konflikt me mikun e tyre. Ai nuk ka qenë në lokal në momentin e ngjarjes duke bërë që tre të armatosurit të largohen.
“Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 13.11.2021, në një lokal në fshatin Zejmen, Lezhë, ku hynë 3 persona të maskuar dhe të armatosur. Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 autorët e dyshuar të ngjarjes.
Strukturat hetimore të DVP Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 13.11.2021, në një lokal në Zejmen, Lezhë, në ambientet e të cilit kishin hyrë disa persona të armatosur, bazuar në provat e grumbulluara, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasit:
R. Rr., 28 vjeç, A. D., 31 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe R. B., 29 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, të cilët menjëherë pas ngjarjes janë larguar jashtë vendit.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se për shkak të një konflikti të ndodhur më parë ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit dhe një shtetasi që është mik i shtetasve R. Rr., A. D. dhe R. B., këta tre të fundit, më datë 13.11.2021, kanë shkuar të armatosur, në lokalin në pronësi të shtetasit A. K., dhe kanë kërkuar kushëririn e tij, shtetasin L. M.(K), (i cili më herët ishte konfliktuar me shtetasin Gj. J., mik i tre autorëve të dyshuar). Shtetasi L. M.(K), në momentet e ngjarjes nuk ka qenë në ambientet e lokalit.
Po në vijim të veprimeve, menjëherë pas publikimit të videos në media dhe rrjetet sociale, nga shërbimet e Policisë është bërë i mundur identifikimi i të gjithë shtetasve që ndodheshin në lokal, të cilët në vijim të veprimeve hetimore janë proceduar penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”, e mbetur në tentativë, të kryera në bashkëpunim”, njofton policia. m.v/Abcnews.al