Tre qytetarë nga Elbasani u vunë në pranga nga blutë e Tiranës, të dyshuar për vjedhje banesash dhe biznesesh në kryeqytet. Policia hetoi për tre muaj dhe zbuloi 12 raste vjedhjesh prej tyre.
Policia e Tiranës ka mundur që të arrestojë 3 persona nga Elbasani, pasi dyshohet se janë autorët e të paktën 12 vjedhjeve në biznese, magazina dhe banesa private.
Në pranga kanë rënë Daniel Çela, 31 vjeç, Bashkim Sollaku, 56 vjeç dhe Endri Gjeli, 33 vjeç.
Policisë së Tiranës i është dashur tre muaj hetime për të zbuluar se pas vjedhjeve fshiheshin tre të arrestuarit, që udhëtonin nga Elbasani për në Tiranë për të realizuar planin e tyre.
Vjedhja e parë që është dokumentuar nga policia rezulton se ka ndodhur më datën 4 dhjetor 2025, ku tre autorët kanë marrë një shumë të madhe parash pranë një biznesi në rrugën 7 Nëntori. Ndërkohë, vjedhja e fundit e këtij grupi është realizuar më 25 shkurt 2026.
Policia ka mundur t’i identifikojë duke i gjurmuar me kamera sigurie që nga momentet kur kryenin vjedhjet dhe deri te largimi i tyre.
Zonat ku ata kryenin vjedhjet kryesisht kanë qenë në Vaqarr, fshatin Prush, në Fushë Mëzez si dhe në zonën e Kombinatit. Por jo vetëm në rrethinat e kryeqytetit, pasi tre hajdutët në të paktën tre raste kanë vjedhur kompani në Marikaj.
Policia po heton persona të tjerë që janë të lidhur me këtë rrjet hajdutësh.


