TCH: Transaksionet e Kryemadhit/ Televizioni publikon fakte tronditëse: Erdhën në mënyrë anonime

schedule15:42 - 31 Mars, 2023

schedule 15:42 - 31 Mars, 2023

Një ditë më parë televizioni kombëtar Top-Channel, iu kthye edhe një herë temës së financimeve ruse të lidhura me ish kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Sipas Top-Channel, kronika ishte bazuar në fakte, por këto të marra nga një dosje anonime që kishte mbërritur në emailin e kompanisë.

Sipas të dhënave të dosjes anonime,  Monika Kryemadhi rezulton të jetë financuar e të ketë marrë pagesa të dyshimta nga kompani “off shore” të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës, sponsor të partisë së Vladimir Putin. Të dhenat i referoheshin një periudhe dy vjeçare, 2017-2018.  Më konkretisht, sipas TCH, rezulton që gjatë kësaj periudhe Kryemadhi mori dy pagesa në llogarinë e saj bankare në Banco Espirito Santo SA nga Holdem Holding Limited, një kompani e regjistruar në Qipro.

Pagesat erdhën nga llogaria e Holdem në UBS AG. Nga këto llogari, Llogaria e Kryemadhit mori dy pagesa: Më 15 shkurt 2017, në një vlerë prej 5,350 euro nga kompania Holdem dhe një në 23 maj të vitit 2018  në vlerë  13,500 euro po nga Holdem.

Në kohën e transferimeve në vitin 2017, Holdem Holding Limited ishte në bashkëpronësi të tre kompanive të regjistruara nga Ishujt virgin.

Sipas TCH duke gjurmuar pronësinë e njërës prej kompanive, u arrit në përfundimin që pas kompanisë Holdem qendron Alexander Smuzikov, një biznesmen multimilioner rus dhe partneri i tij i biznesit Alexander Kaplan. Këta dy persona përmenden si drejtues pas Balkan Petroleum, një kompani tashmë e shpërbërë në Mbretërinë e Bashkuar. Kompania mëmë e “Balkan Petroleum” ishte “Davolia Holdings”, e regjistruar në Qipro. Davolia ishte në bashkëpronësi në pjesë të barabartë nga Vollandes dhe Dalia Global Corp, një kompani tjetër e regjistruar ne ishujt virginia.

Sipas Pandora Papers, rrjedhjes më të madhe të dokumentave në vitin 2021,  pronësine e Dalia e ka Smuzikov. Si rrjedhojë, sipas TCH, Smuzikov dhe Kaplan duhet të kenë pasur të paktën pjesërisht pronësinë e Holdem në kohën e transaksioneve me Kryemadhin. Refreuar dokumentave të dosjes në fjalë, ish kryetarja e LSI ka bërë një pagesë nga llogaria e saj bankare në Credit Agricole në Cyrih, ne vlere 8,374 euro për një kompani të regjistruar në Qipro, Vradus Holdings Ltd.  Pagesa është referuar si “Sherbime Marketingu”. Vradus Holdings Ltd, për një periudhë 1 vjeçare, 2012-2013, ka qenë pronare e vetme e Magnatek, kompani e shitjes së natës e rregjistruar në Rusi.

Magnatek u themelua në vitin 2008 nga Vitaly Savvin, një ish-tregtar nafte me bazë në Moskë dhe partner biznesi i Smuzikov. Kjo kompani iu nënshtrua një hetimi nga Forbes pasi doli se ishte një nga donatorët më të mëdhenj të partisë politike ruse në pushtet, Rusia e Bashkuar. Për më tepër, Savvin zotëronte më parë një 9.94% të aksioneve në Peresvet Bank, një bankë ruse e lidhur ngushtë me kishën ortodokse ruse, e cila thuhet se ishte gjithashtu një sponsor “i madh” i Rusisë së Bashkuar. Në përfundim sipas TCH, nga përpunimi i të dhënave rezultonte se nuk ka pasur ndryshim të strukturave aksionere të Magnatek ose Vradus deri pas vitit 2019, kjo tregon fuqishëm se Savvin, partneri i Smuzikov,  vazhdoi të kontrollonte kompaninë si në kohën e transaksionit nga Kryemadhi në 2017. Për çështjen në fjalë, 2 javë më parë, në studion e ABC News,  vetë Kryemadhi i mohoi akuzat dhe ka deklaruar se tashmë çështja është në dorë të drejtësisë.