Tatimet, tolerancë zero ndaj shkelësve të ligjit

schedule16:37 - 10 Nëntor, 2018

schedule 16:37 - 10 Nëntor, 2018

Pas rasteve të fundit në strukturat tatimore të Tiranës dhe Shkodrës, Drejtoria e Hetimit Tatimor ka kërkuar prej inspektorëve në vend respektim rigoroz të ligjit. Drejtori Adrian Shehu ka qenë i prerë ndërsa ka deklaruar tolerancë zero ndaj shpërdoruesve të detyrës.

Tolerancë zero ndaj çdo inspektori tatimor që shpërdoron detyrën apo shkel etikën në punë. Paralajmërimi vjen nga Drejtori i Hetimit Tatimor, Adrian Shehu. Shehu zhvilloi një mbledhje të posaçme me strukturat e zbatimit të rajonit qendror, jugor dhe verior lidhur me ecurinë e zbatimit të planit operacional.

Profesionalizëm, etikë dhe korrektësi në trajtimin e rasteve, në respekt rigoroz të legjislacionit në fuqi, kërkuan prej vartësve të tyre drejtuesit e Hetimit Tatimor në këtë takim. Apeli i Drejtorisë së Hetimit Tatimor vjen pas dy rasteve të konstatuara javën e fundit.

Tre punonjës të Hetimit Tatimor në Tiranë u arrestuan nga policia e Korçës me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Inspektorët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kundrejt shumës prej 30.000 lekësh kanë favorizuar një subjekt tregtar në qytetin e Korçës.

Ndërsa pas denoncimeve në platformën e bashkëqeverisjes me qytetarët, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare Antikorrupsion rekomandoi largimin nga detyra të drejtorit të Hetimit Tatimor në Shkodër dhe 21 inspektorëve. Ndërkohë që për 14 të tjerë sugjeroi paralajmërimin për largim nga puna./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!