“Task forcë për menaxhimin e turizmit”, eksperti: Mungesa e kapitalit njerëzor duhet trajtuar me urgjencë

schedule17:37 - 1 Maj, 2024

schedule 17:37 - 1 Maj, 2024

Eksperti për punësimin, Erion Muça thotë se duhet ngritur një task forcë që të merret me menaxhimin e turizmit, në një kohë kur vendi pritet të mirëpresë një numër më të shtuar turistësh se sa viti i kaluar. Në një intervistë për “Newsline”, ai shtoi se mungesa e kapitalit njerëzor duhet trajtuar me urgjencë.

“Duhet të shtohen kuotat e formimit profesional, sidomos hoteleri turizëm, bare e restorante. Të përmirësohet infrastruktura e praktikave të tyre. Të rritet numri i mësuesve dhe instruktorëve sepse do të përballemi jo vetëm me një pamundësi reale për të menaxhuar fluksin e turistëve por do të cenohet edhe cilësia e mënyrës se si ia ofrojmë shërbimet turistëve. Duhen marrë masa dhe të krijohet një task forcë reale që menaxhon nevojat që ka kjo industri në Shqipëri që të mund të plotësohet dhe menaxhohet kjo situatë. Siç po bëjnë vendet evropiane me politika agresive për të plotësuar vakancat, me të njëjtë urgjencë duhet ta trajtojmë ne mungesën e kapitalit njerëzor në Shqipëri.”, u shpreh eksperti.

Sa i përket punësimit të të huajve në Shqipëri, ai tha se këta persona synojnë në një kohë të shpejtë largimin drejt vendeve të tjera.

“Vendet si Gjermania, më konservatoret në filtrimin e afrimit të punonjësve sot nuk njeh as arsimin por i vë në provë tre muaj dhe integrohet në tregun e punës përmes aftësisë që ka. Kur vendet më të zhvilluara i kanë zhbërë barrierat dhe janë hedhur në lojë me format si rekrutues të caktuar, partnerë lokalë dhe kombëtare në vende jo evropiane për të thithur punonjës me qëllim që të plotësojnë vakancat, përballë kësaj “urie” në plan evropian, Shqipëria është një vend jo vetëm i papreferuar për ta parë veten në plan afatgjatë por edhe me frikën se këta punonjës do të vijnë që në të ardhme të largohet drejt vendeve të tjera. Nuk e shoh si risk punësimin e të huajve por numri i tyre do të jetë më i vogël seç është interesi i të huajve për vendet e BE-së”, u shpreh ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!