Task Forca në Letoni për hetimin e vdekjes së Nëntetares

schedule10:55 - 7 Maj, 2019

schedule 10:55 - 7 Maj, 2019

Vetëm një ditë pas vdekjes së Nëntetares Zarife Hasanaj, Ministrja e Mbrojtjes ka nisur drejt Letonisë Task Forcën e ngritur me urgjencë për këtë rast. Bashkë me autoritetet letoneze, Task Forca do të ndjekë hetimin e plotë për vdekjen e efektives Hasanaj në Camp Adazi.

Mësohet se në grupin që do merret me hetimin, ka përfaqësues nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Policia Ushtarake dhe Drejtoria e Inspektimit.

Nëntetarja Zarife Hasanaj, 32 vjeç, vdiq aksidentalisht gjatë çmontimit të minave mëngjesin e së hënës, ndërsa u plagosën komandanti i kontigjentit, Majori Klodian Tanushi, i cili mësohet se është në gjendje të rëndë për jetën dhe rreshteri Julian Kapaj. Efektivët e FA, pjesë e grupit xhenier për demontimin e minave, ishin pjesë në misionin e NATO-s në Letoni për demontimin e minave luftarake.

Në mesditë në kryeqytetin letonez Riga mbërrin dhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila do të vizitojë dy efektivët e plagosur nga shpërthimi i djeshëm.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm në bazën ushtarake Camp Adazi u zhvillua ceremonia  e nderimit për nëntetaren e ndjerë Zarife Hasanaj. 32 vjeçarja pas 1 muaji pritej që të kthehej pranë familjes në atdhe.

. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!