Prej disa ditësh kanë nisur debatet dhe akuzat mbi vendimin e Urdhrit të Stomatolgut që kërkon rritjen e tarifave në klinikat dentare. Lidhur me këtë çështje ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se vendimi është i pazbatueshëm.
Teksa po inspektonte qendrën shëndetësore nr. 8 në kryeqytet, ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu dha një përgjigje për debatin mbi tarifat dysheme për shërbimet dentare. Manastirliu theksoi se nuk do të ketë asnjë rritje tarifash për shërbimet dentare.
Ogerta Manastirliu: Ministria e shëndetësisë nëpërmjet përfaqësuesit të saj në Këshillin për Urdhrin e Psikologut e ka kundërshtuar vendimin, si një vendim i cili është i pazbatueshëm pasi tejkalon kompetencat që i jep ligji për Urdhrin e Stomatologut, këtij Urdhri. Ndaj ne kemi çuar në gjykatë një kërkesë padi për anulimin e këtij vendimi si të pazbatueshëm. Garantojmë qytetarët që nuk do ketë rritje të tarifave dysheme se nuk është në kompetencën e Urdhrit të Stomatologut, përcaktimi dhe vendosja e këtyre tarifave. Ndaj jo vetëm Ministria e Shëndetësisë, e cila është struktura që ngarkohet me ligjin për organizmin e sistemit stomatologjik në vend, por gjithashtu edhe instanca të tjera, të cilat janë pjesë e kësaj iniciative që është Autoriteti i Konkurrencës, Ministria e Financave që janë të gjitha në vëzhgim të gjitha hapave që do të ndërmerren.
Ministrja Manastirliu pa nga afër qendrën shëndetësore nr. 8, një prej qendrave 24 orëshe, ku ju bëri apel prindërve, që në këtë periudhë të ngarkuar me viroza dhe grip, ta marrin shërbimin pranë qendrës më të afërt./abcnews.al