Tarifat kundër BE, Trump shtyn vendimin

schedule12:26 - 1 Maj, 2018

schedule 12:26 - 1 Maj, 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka zgjatur me një muaj vendimin për përjashtimin e Kanadasë, BE-së dhe Meksikës nga tarifat për importimin e çelikut dhe aluminit. Kjo periudhë do të shërbejë për negociatat mes Uashingtonit dhe vendeve të tjera lidhur me shkëmbimet tregtare.

Administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, ka zgjatur negociatat për tarifat e çelikut dhe aluminit për 30 ditë me Kanadanë, BE dhe Meksikën. Ajo ka arritur gjithashtu një marrëveshje në parim me Argjentinën, Brazilin dhe Australinë. Në Mars, Presidenti amerikan imponoi tarifa në mbarë botën prej 25% në importet e çelikut dhe 10% për aluminin.

Disa shtete u përjashtuan përkohësisht nga këto tarifa, përfshirë Kanadanë, BE-në dhe Meksikën. Kina nuk është përfshirë në këtë listë dhe për pasojë vendosi tarifat e veta për disa produkte të importuara nga Shtetet e Bashkuara. Këtij vendimi, Trump iu kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë, duke rritur taksat ndaj importeve nga Pekini. Por kjo gjë rriti tensione mes dy fuqive të mëdha.

Koresë së Jugut iu dha një përjashtim i pacaktuar në këmbim të një ulje prej 30% në eksportet e saj të çelikut në SHBA. “Në të gjitha këto negociata, Administrata është e përqendruar në kuotat që do të kufizojnë importet, do të parandalojnë transferimin dhe do të mbrojnë sigurinë kombëtare”, shkruhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë. Gjithashtu njoftohet se detajet e marrëveshjes me Argjentinën, Brazilin dhe Australinë do të finalizohen shumë shpejt.

“Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të zgjatur për një periudhë të shkurtër përjashtimin e BE-së nga tarifat e importimit të çelikut dhe aluminit, zgjat pasigurinë e tregut, dhe po ndikon në vendimet e kompanive”. Kjo është konfirmuar nga Komisioni europian në një komunikatë në reagim ndaj presidentit Donald Trump. Ndërsa më tej ripërsëritet qëndrimi i Brukselit se BE duhet të përjashtohet në mënyrë të përhershme nga këto tarifa./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!