Tarifat dhe Trump, luftë fjalësh përpara samitit të liderëve të G7

schedule11:48 - 8 Qershor, 2018

schedule 11:48 - 8 Qershor, 2018

Sot në orën 18:00 të pasdites fillon punimet në Kebet të Kanadasë samiti i liderëve të G7-ës. Përpara mbajtjes së tij janë regjistruar përplasje të ashpëra mes presidentit amerikan Donald Trump, atij francez, Macron dhe kryeministrit të Kanadasë.

Liderët e grupimit të G7-ës do të mblidhen sot pasdite në Kanada duke filluar që nga ora 18:00, për atë që mund të jetë një ndër samitet më të ashpëra në vite. Përpara takimit, Liderët e Kanadasë dhe Francës janë përplasur me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me çështjen kryesore të samitit, tarifat e shkëmbimeve tregtare. Trump, i cili pritet të jetë i fundit që do të mbërrijë dhe i pari që largohet, ka imponuar tarifa për çelikun dhe aluminin, gjë e cila ka shkaktuar raprezalje nga partnerët tregtarë.

Por 7 fuqitë ekonomike më të mëdha të botës mund të përplasen edhe për marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe ndryshimet klimatike. Në grupimin e G7-ës bën pjesë Kanadaja, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Japonia dhe Gjermania. Pavarësisht miqësisë së tyre të shfaqur më herët, përplasja më e ashpër dhe kryesore është ajo mes Emmanuel Macron dhe Donald Trump. Në një mesazh në tuitër, presidenti I Francës thotë se nëse Trump dëshiron që të jetë i izoluar, atëherë 6 kombet e tjera do të nënshkruajnë marrëveshjet e tyre “pasi ato 6 vende përfaqësojnë vlera, ato përfaqësojnë një treg ekonomik i cili ka peshën e historisë mbi supe dhe që tani është një fuqi e vërtetë ndërkombëtare”.

Lideri që organizon samitin, Justin Trudeau më përpara ka patur një qasje ndryshe me Trump, por kohëve të fundit është shfaqur më shumë konfrontues, veçanërisht me ngecjen e bisedimeve për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të  Amerikës së Veriut, NAFTA. Ai i ka cilësuar qesharake komentet e presidentit amerikan, i cili ka mbrojtur tarifat e çelikut dhe aluminit duke thënë se ndikon në sigurinë kombëtare. Megjithëse duhej të ishin miq, asnjëri prej tyre nuk tërhiqet. Trump publikoi disa mesazhe të ashpëra në tuitër duke akuzuar Trudeau se po tregohet i indinjuar dhe Bashkimin Europian dhe Kanadanë për ngritjen e “tarifave masive të tregtisë dhe pengesave të tregtisë jo monetare kundër SHBA prej vitesh. “Ulni tarifat dhe pengesat ose ne do të bëjmë më shumë se ju”, shkruan kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Një temë tjetër që do të ngjallë shumë diskutime është padyshim dhe marrëveshja me Iranin. 6 vendet pritet t’I bëjnë Trump-it presion për këtë çështje, megjithatë ai ka shprehur një qëndrim më të qartë se nuk pranon paktin actual. Ndërkohë, pritet me shumë vëmendje edhe debutimi i kryeministrit të qeverisë populiste italiane, Xhuzepe Konte. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!