“Targat” Kosovë-Serbi, KFOR për “ABC”: Kemi rritur patrullimet për të ulur tensionet

schedule23:13 - 6 Tetor, 2021

schedule 23:13 - 6 Tetor, 2021

Nga Linda Karadaku

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për çështjen e targave të makinave dhe kamionëve. Marrëveshja e arritur midis zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi dhe kryesuesit të delegacionit serb Petar Petkoviç, përcakton largimin e forcave speciale të policisë së Kosovës që u vendosën në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut, paralelisht me bllokadat e vendosura nga serbët lokalë në rrugë. Forcat e KFOR-it vendosen në këto pika kufitare për të qëndruar aty për dy javë.

Lexo edhe: Mentor Vrajolli: Pakti për targat krijon barazpeshë midis Kosovës dhe Serbisë

Antonio Minutella, zëdhënës i KFOR-it tha për emisionin Ballkan se “KFOR po monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë në veri të Kosovës, përgjatë rrugëve kryesore të trafikut të prekura nga bllokimet e rrugëve.

Ai ka vendosur gjithashtu njësitë e tij në pikat e kalimit kufitar Jarinje dhe Bërnjak, në përputhje me mandatin e dhënë atij nga OKB. Duke vepruar kështu, KFOR vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e sigurisë. Për më tepër, Komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe bashkësinë ndërkombëtare, me qëllim që të kontribuojë në një de-përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës”.

Ndërkohë, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Beograd, Miroslav Lajçak, ka falenderuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë për arritjen e marrëveshjes. “Ne kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për shtensionimin dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve” tha Lajçak. Po kështu, që nga 4 tetori, zbatohet regjimi i etiketave në targat e dy vendeve, derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme. Sipas marrëveshjes, ngrihet edhe një grup pune me përfaqësues të BE, Prishtinës dhe Beogradit që do të punojë për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave, dhe takimi I parë I grupit do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. / Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!