Lazio po kalonte një sezon të mrekullueshëm përpara se Seria A të ndërpritej nga Coronavirusi. Igli Tare kërkon të ruajë grupin dhe pse jo të ndërtojë një Lazio akoma dhe më të fortë për sezonin tjetër. Ish-sulmuesi i kombëtares ka shfaqur interes për mbrojtësin e Liverpool, Dejan Lovren.
Ekipi kryeqytetas e kërkoi sllovenin dhe në merkaton e janarit, por nuk ishte gati të paguante kartonin e tij që kushton plot 20 milionë euro. Kontrata e mbrojtësit me “The Reds” përfundon në qershorin e vitit 2021 dhe nëse Liverpool nuk e shet këtë verë, rrezikon ta humbasë me parametra zero verën tjetër.
Gjithsesi Lazio nuk është e vetme në garë për shërbimet e Lovren. Janë ekipe si Arsenal dhe Tottenham që i janë bashkuar garës. Mbrojtësi që mbush 31-vjeç në korrik ka që në vitin 2014 që luan për Liverpool dhe mesa duket ka ardhur koha për një aventurë të re. Tare i ofron atij një pagë prej 3 milionë eurosh në sezon, 2 milionë më pak nga sa merr në Angli, por shqiptari i ofron një kontratë më të gjatë. /abcnews.al