Tani në fund të detit, të pathënat e fundosjes së krenarisë së flotës ruse

schedule14:02 - 15 Prill, 2022

schedule 14:02 - 15 Prill, 2022

Kryqëzori “Moska”, flamurmbajtësja e flotës ruse të Detit të Zi që u mbyt mbrëmë, ndodhet në fundin e errët të Detit të Zi prej disa orë tashmë, pasi ka pësuar dëme të mëdha nga një shpërthim në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme.

Sipas CNN, është ende e paqartë nëse është fundosur për shkak të raketave ukrainase, paaftësisë ruse, fatkeqësisë apo një kombinimi të faktorëve të mësipërm. Megjithatë, ajo që është e sigurt është se kjo është humbja më e madhe detare në kohë lufte në 40 vitet e fundit, e cila ngre shqetësime jo vetëm në Moskë, por edhe në fuqi të tjera në mbarë botën, të cilat mund të kenë nevojë të rishqyrtojnë strategjitë e tyre ushtarake.

Versionet ruse dhe ukrainase të asaj që ndodhi

Në lidhje me ngjarjet që e çuan “Moskën” në fund të detit, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka njoftuar se ishte një zjarr me origjinë të panjohur që ndezi municionet e anijes dhe që shkaktoi shpërthimet e mëvonshme që shkaktuan demë të mëdha strukturore në kryqëzor. Ai thotë se fundosja e tij ka ndodhur gjatë tërheqjes në një port aty pranë në mes të një deti të trazuar, raporton abcnews.al.

Lexo edhe: Inteligjenca britanike: Fundosja e anijes do të detyrojë Rusinë të ndryshojë strategjinë në Detin e Zi

Ukraina, nga ana e saj, thotë se goditi “Moskën” me raketa, të cilat shkaktuan zjarrin duke shkaktuar shpërthimin. Amerikanët dhe zyrtarët perëndimorë në fushën e mbrojtjes duket se po miratojnë versionin ukrainas. Shtetet e Bashkuara besojnë me një “shkallë të moderuar besimi” se versioni i ngjarjeve të Kievit është i saktë, tha një burim për CNN.

“Moska” ishte e pajisur me lloje të ndryshme të raketave kundër anijeve dhe kundërajrore, si dhe raketahedhës dhe armë të tjera dhe sisteme mbrojtëse. Kjo do të thotë se ai kishte patjetër një sasi të madhe eksplozivi në magazinat e saj.

Kur ishte hera e fundit që një anije e kësaj përmasash humbi në kohë lufte?

Kryqëzori argjentinas “General Belgrano” u mbyt nga nëndetësja e Marinës Mbretërore “Conqueror” në Luftën e ishujve Falklands, më 2 maj 1982.

Lexo edhe: Media ukrainase: Në anijen e fundosur ruse mund të ketë armë bërthamore, frikë për fatin e 450 persona të ekuipazhit

“General Belgrano” dhe “Moska”  ishin të përmasave të ngjashme: rreth 182 metra të gjatë dhe peshë 12,000 ton. Sidoqoftë, ekuipazhi prej 1100 vetash në General Belgrano ishte më shumë se dyfishi i ekuipazhit të “Moskës”, i cili nuk i kalonte 500 persona, raporton abcnews.al.

Rusia nuk ka treguar nëse ka pasur viktima nga zjarri dhe shpërthimi në “Moska”. Kur “General Belgrano” u mbyt, humbën jetën 323 anëtarë të ekuipazhit.

Çfarë do të thotë humbja e “Moskës” për ushtrinë ruse në Ukrainë?

Pasoja më e madhe e fundosjes së anijes ruse mund të jetë “goditja” në moralin e rusëve. Si flamurmbajtësja e flotës ruse në Detin e Zi, “Moska” ishte një nga “mjetet” më të dukshme të Moskës në luftën në Ukrainë. Edhe pse Kremlini ka shumë kontroll mbi mënyrën se si mediat vendase mbulojnë operacionet e luftës, lajmi për fundosjen e një anijeje kaq të madhe mund të mos jetë aq i lehtë për t’u “fshehur” apo paraqitur ashtu siç dëshiron administrata e Putinit.

“Humbja e anijes, qoftë e shkaktuar nga veprimi i armikut apo nga aksidenti, do të hedhë dyshime mbi aftësitë e Rusisë në fushën e betejës”, thuhet në raportin e CNN.

“Të dy shpjegimet për fundosjen e kryqëzorit tregojnë për dobësi të mundshme në Moskë, qoftë në aspektin e mbrojtjes ajrore ose në aspektin e procedurave të sigurisë dhe kontrollit të dëmtimit në anijen e Flotës së Detit të Zi.”, shprehen analistët Mason Clark, Kateryna Stepanenko dhe George Barros nga “Instituti për Studimin e Luftës”. /abcnews.al