Tani është radha e Rusisë!

schedule21:33 - 29 Janar, 2018

schedule 21:33 - 29 Janar, 2018

Në prag të zgjedhjeve presidenciale të Marsit, Kremlini ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të ndikojnë rezultatin e procesit. Për Moskën, mjeti që po përdor Uashingtoni është paketa e re e sanksioneve.

Paketa e ardhshme e sanksioneve, që Shtetet e Bashkuara do të vendosin ndaj oligarkëve rusë të lidhur me Kremlinin pritet të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të Marsit në Rusi.

Raporti i Departamentit amerikan të Thesarit do t’i dorëzohet presidentit Vladimir Putin dhe pritet të përmbajë detaje mbi figurat kyçe të politikës dhe biznesit në Rusi.

“Raporti do të analizohet, por ai përbën një përpjekje direkte dhe të qartë për të influencuar zgjedhjet”, ka deklaruar Dmitry Peskov.

Megjithatë, zëdhënësi i Putin ka shprehur bindjen se kjo përpjekje nuk do të konkretizohet. Nga ana e tij, Putin është zotuar se do të ndihmojë në kufizimin e dëmeve që sanksionet e reja mund të shkaktojnë ndaj biznesmenëve rusë.

Vitin e kaluar, ai zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me sipërmarrësit më të fuqishëm të vendit për të diskutuar mbi çështjen në fjalë. Ndërsa vetëm javën e kaluar, kreu i bankës ruse VTB, Andrei Kostin tha për “Financial Times” se, nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosnin sanksione të tjera, ky veprim do të jetë një “deklaratë lufte”.

Në zgjedhjet presidenciale të 18 Marsit, Putin do të kërkojë të rizgjidhet dhe situata duket se është në favorin e tij. Rivalit të vetëm, Alexei Navalni, i është ndaluar pjesëmarrja në proces. Ai u arrestua gjatë një proteste të mbajtur të shtunën, por u lirua këtë të hënë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!