“Tallava, tallava”, Basha i përgjigjet Këlliçit: Do japësh përgjigje në SPAK për falsifikimin e vulës

schedule17:51 - 13 Dhjetor, 2021

schedule 17:51 - 13 Dhjetor, 2021

Partia Demokratike ndërmori hapa ligjorë kundër funksionarëve të sapo shkarkuar të saj të cilët morën pjesë në “Kuvendin Kombëtar” të Sali Berishës më 11 dhjetor. PD kallëzoi në SPAK përfaqësues të lëvizjes Berisha për falsifikimin e vulës së PD, deputetët Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi, si dhe Ivi Kaso e Ervin Minarolli. Kryedemokrati tha sot se pesë të kallëzuarit do të mbajnë përgjegjësi.

Ata të pestë që kanë marrë përsipër të shkelin mbi demokratët duke falsifikuar simbolet e demokratëve në funksion të një personi të shpallur “non grata” nga SHBA, ata persona që kanë bërë këtë janë kallëzuar në SPAK dhe do të përgjigjen” tha ai.

Ai zbuloi edhe çfarë i tha pak javë më parë njëri nga 10 zyrtarët e shkarkuar dje. “O kryetar të themi atë që është, 60% e këtyre që kanë firmosur nuk e dinë, ata 40% e dinë, por janë kundër, nuk kanë për të ardhur. Ky person, edhe ai është i shkarkuar nga kryesia. Por e tha një të vërtetë të madhe” tha ai.

Por ish-kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi iu përgjigj duke e cilësuar turp të madh. “E kam drejtpërdrejt me Bashën, nëse një fije floku i cenohet një të riu do ta bëjmë transparente gjithçka. I bëj thirrje të tërhiqet menjëherë nga ky degradim. I shërben atij të ruajë dinjitetin e tij që është ende i ri në moshë, por me mentalitet, kaluar sovjetikëve.

Turp më të madh nuk mund të kishte. Kam padi nga Erion Veliaj, inceneratorët, drejtuesit e OSHEE-së, por të vinte edhe një padi nga ish-sekretari i përgjithshëm pse kam respektuar delegatët e forcës sime, edhe kjo i mungonte tallavasë së vulës. Por durim, referendumi po afron” tha ai.

Gjatë konferencës në selinë blu, Lulzim Basha pati disa replika me gazetaren Ambrozia Meta. “Do të respektoj ty për gazetarinë tënde. Dje “Syri” ka bërë për herë të 15-të brenda tre ditëve një varg lajmesh të rreme. Mos u mërzisni me stafin e “Syrit”, Ambrozian, privatizimi i “Syri.tv” është një dramë e madhe. “Syri” ia ka tejkaluar të gjithëve duke bërë opozitën e opozitës me lajme të rreme, por do të vijë shumë shpejt dita që edhe “Syri” të çlirohet nga metodat e berishizmit, o me mua, o kundër meje, të enverizmit. Një në 10 lajme është lajm, 9 janë të rreme. Me disa nga gazetarët e “Syrit” kam komunikuar e di që janë në stres, po u jap kurajë” tha ai.

Gazetarja e pyeti se përse nuk përmend emrat e Suel Çelës dhe të tjerëve. “Mos demonstro nervozizëm se do të respektoj sot dhe nesër, në qeveri dhe opozitë. Suel Çelës, Aqif Rakipit dhe Tom Doshit ja ka harruar emrin Sali Berisha dhe jo unë. Sot pamë Sali Berishën e ’97 shumë më të plakur dhe qesharak me njerëz me precedent penal. Njerëz që janë bërë milionerë në pushtetin e tij dhe të vinin këtu dhe të thonin se ishim ne me armë, ndërkohë që erdhi ai. Suel Çela dhe banda e tij janë kallëzuar” deklaroi ai./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!