Talibanët pezullojnë aktivitetet e shkollave të udhëhequra nga organizatat joqeveritare

schedule18:23 - 17 Prill, 2023

schedule 18:23 - 17 Prill, 2023

Ministria e talibanëve për Edukim i ka pezulluar të gjitha aktivitetet e shkollave në provincat Kandahar dhe Helmand, të cilat udhëhiqen prej organizatave joqeveritare, sipas një letre të publikuar të hënën nga mediat lokale.

Sipas letrës, delegacioni është emëruar nga ministria për të rishikuar projektet dhe aktivitetet e të gjitha institucioneve të edukimit, në provincat e përmendura. Megjithatë, sipas mediave lokale, një zyrtar taliban në Kandahar, ka thënë se ndalesa është e përkohshme.

Vetëm javën e kaluar, talibanët e kanë arrestuar aktivistin për edukim, Matiullah Wesa për aktivitete të “dyshimta”. Wesa ka ngritur zërin për edukim të vajzave, sidomos në zonat e thella të Afganistanit.

Talibanët janë kthyer në pushtet, pas rrëzimit të Qeverisë afgane, në gusht të vitit 2021. Në atë periudhë, nga Afganistani janë tërhequr edhe forcat e NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Prej atëherë, talibanët kanë zbatuar ligje dhe rregullore strikte, përfshirë vënien e ndalesës për shkollimin e vajzave, pas shkollës fillore. Ata që kanë guxuar të kritikojnë këto vendime, janë arrestuar nën pretekste të ndryshme./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!