Talibanët arrestojnë dy gazetarë në Afganistan

schedule18:23 - 14 Gusht, 2023

schedule 18:23 - 14 Gusht, 2023

Autoritetet e talibanëve i kanë arrestuar dy gazetarë në jug të Afganistanit, ku është ndaluar që të transmetohet zëri i grave nëpër radio.

Një burim, që ka kërkuar të jetë anonim, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se forcat talibane i kanë arrestuar gazetarët Attaullah Omar dhe Waheedur Rahman Afghanmal në provincën jugore Kandahar, më 13 gusht.

Omar është korrespodent i Kandaharit për mediumin Tolo, ndërsa Afghanmal raporton për të përditshmen Etilat-e Roz, shkruan REL.

Arrestimi i tyre vjen pas arrestimit të pesë gazetarëve tjerë në pjesë të ndryshme të Afganistanit, vetëm brenda një muaji.

Ndërkohë, Ministria e talibanëve për Informacion dhe Kulturë i ka urdhëruar radio-stacionet në provincat jugore të Helmandit, që të mos i transmetojnë zërat e grave, as nëpër reklama.

“Të gjitha radio stacionet në Helmand janë paralajmëruar që nëse transmetojnë zëra të grave, do të mbyllen dhe pronarët e tyre do të ndëshkohen”, ka thënë menaxheri i një stacioni.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!