Aeroporti i Kabulit u përfshi dje nga kaosi, pasi me mijëra afganë u përpoqën të ikin sa më parë nga vendi i tyre, pasi talebanët morën pushtetin.
Ndërkohë, sot situata paraqitet më e qetë. Sipas CNN, talebanët kontrollojnë rrugët hyrëse në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai, që do të thotë se kushdo që dëshiron të hyjë në portat kryesore të aeroportit do të duhet të kalojë kontrollet e tyre. Forcat talebane po vazhdojnë të përpiqen të kontrollojnë turmat që tentojnë të hyjnë.
Shtetet e Bashkuara ende kontrollojnë anën ushtarake të aeroportit, e cila ishte rrethuar dje pasdite me tela me gjemba, e ruajtur nga personeli ushtarak amerikan.
Të hënën pasdite, turma njerëzish vërshuan në asfalt në dëshpërim, përfshirë disa që u ngjitën në avionët ushtarakë amerikanë.
Forcat amerikane në aeroportin e Kabulit vranë 2 burra të armatosur të hënën pasi ata qëlluan mbi trupat amerikane, tha një dëshmitar për CNN. Dëshmitari tha gjithashtu se një luftëtar i tretë u plagos në konfrontim.
Fluturimet komerciale u anuluan nga aeroporti të hënën dhe vijojnë të jenë të bllokuara. Ndërkohë, avionët ushtarakë vazhdojnë edhe sot me evakuuime. g.v/abcnews.al