Taksat/ Zbutet Trump: Tarifa më të buta për aleatët

schedule19:40 - 8 Mars, 2018

schedule 19:40 - 8 Mars, 2018

Presidenti amerikan ka zbutur qëndrimin e tij sa i takon rritjes së taksave për çelikun dhe aluminin e importuar. Këtë të enjte, Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë lëshime për aleatët e tyre.

Presidenti amerikan, Donald Trump, është shprehur i hapur për një lehtësim të taksave për çelikun dhe aluminin e importuar nga vendet partnere, që bëjnë tregti në kushte të drejta me Shtetet e Bashkuara. Trump e ka bërë publik qëndrimin e tij me një postim në Tëitter këtë të enjte, një gjest që sipas agjencisë së lajmeve “Reuters” është një presion i hapur ndaj Kanadasë dhe Meksikës, që të zhvillojnë bisedime individuale me Amerikën për kriteret e marrëdhënieve tregtare.

Trump pritej që ta nënshkruante këtë të enjte vendimin për rritjen në 25 dhe 10 për qind të tarifave për çelikun dhe aluminin, por pas këtij njoftimi gjasat janë që procedimi të kalojë ditën e premte. Sidoqoftë, shkruan “Reuters”, gama e aleatëve, për të cilët Trump mund të bëjë lëshime është e paqartë dhe rrjedhimisht efekti i vendimit të tij i paparashikueshëm.

Gjithashtu, nisma e tij mund të krijojë një periudhë pasigurie në tregjet financiare dhe të çojë në rritjen e numrit të republikanëve “rebelë” që kundërshtojnë rritjen e tarifave.
“Ne duhet të mbrojmë dhe forcojmë industritë tona dhe në të njëjtën kohë të tregojmë fleksibilitet ndaj atyre që janë miqtë tanë e që respektojnë partneritetin tregtar dhe ushtarak”, ka thënë Trump në profilin e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!