Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbrojtur vendimin e tij për rritjen e taksave ndaj vendeve që eksportojnë hekur dhe alumin në SHBA. Nga ana tjetër BE, Rusia dhe Kina kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me këtë çështje.
“Kur SHBA humb shumë miliarda në tregti, praktikisht me çdo shtet që bën shkëmbime, luftërat tregtare janë të drejta dhe të thjeshta për t’u fituar”. Kështu shkruan presidenti Donald Trump në tuitër duke mbrojtur propozimin e tij për rritjen e taksave ndaj vendeve që eksportojnë hekur dhe alumin në SHBA. “Për shembull, kur jemi minus 100 miliardë dollarë me një vend të caktuar dhe ata tregohen dinakë, nuk duhet të bëjmë më tregti me ta dhe mund të fitojmë shumë. Është e thjeshtë!”, shton ai më tej.
Vendimi i administratës amerikane për taksat ka shkaktuar protestën e Kinës, Rusisë dhe BE-së, që përgatiten për kundërlëvizje. “Nuk është rruga e duhur dhe rrezikon të shkaktojë një efekt domino”, ka konfirmuar komisionerja europiane për tregtinë, Cecilia Malmstroem. Ndërsa më tej paralajmëron: “Nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë masave të forta dhe të padrejta që rrezikojnë mijëra vende pune në Europë”.
Më pak i ndrojtur ishte reagimi i ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel: “BE duhet t’i kundërpërgjigjet në mënyrë të ashpër taksave ndëshkuese amerikane që kërcënojnë mijëra vende pune në Europë”. Gjithashtu bëri me dije se Komisioni Europian ka përgatitur disa kundërmasa për taksat ndaj aluminit dhe hekurit, në mënyrë që situata të ekuilibrohet.
Ndaj këtij vendimi reagoi ashpër edhe Pekini që bëri edhe një paralajmërim. “Nëse të gjithë shtetet do të ndiqnin shembullin e SHBA-së, do të ketë patjetër pasoja serioze në rendin ndërkombëtar të tregtisë”, është shprehur zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë. Gjithashtu edhe Rusia ka shprehur shqetësimin e saj për njoftimin e Shtëpisë së Bardhë. “Bëhet fjalë për një sitatë që kërkon vëmendjen maskimale. Disa kryeqytete europiane kanë shprehur tashmë shqetësimin e tyre”, nënvizoi zëdhënësi i Kremlinit. Gjithashtu theksoi se Moska do të analizojë situatën dhe do të veprojë lidhur me shqetësimet e marrëdhënieve tregtare me Uashingtonin./abcnews.al