Përpjekja e radhës e Shteteve të Bashkuara për të bindur qeverinë e Kosovës të heqë taksën për produktet serbe ka dështuar. Pas takimit të radhës me ambasadorin Filip Kosnet, kryeministri Haradinaj ka përsëritur se taksa nuk hiqet.
As sanksionet e fundit të vëna nga SHBA-ja nuk kanë ndikuar në qëndrimin e kryeministrit Haradinaj për pezullimin e taksës. Haradinaj ka takuar sot ambasadorin amerikan Philip Kosnett, për të cilin tha se ka kërkuar sërish pezullimin e taksës.
Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës: “Ata sugjerojnë që të pezullohet taksa, që t’i hapet rrugë dialogut. Kemi biseduar edhe tema të tjera bilaterale. Qëndrimi ynë është i qartë, unë dua shumë ta heq taksën, mirëpo është e lidhur me njohjen nga Serbia dhe sugjerimi im është të mos ndërlidhen temat”.
Sipas kreut të ekzekutivit, Kosova është e interesuar për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, sepse, siç thotë ai, populli është lodhur duke pritur. Lidhur me letrën e gjeneralit të FSK-së Rrahman Rama drejtuar presidentit Hashim Thaçi se po rrezikohet një fond prej 12 milionë dollarësh për FSK-në, kryeministri tha se ai duhet të rrijë sa më larg nga mediet.
Ramush Haradinaj: “Gjeneralin Rama e kam koleg, sa me pak që del në media aq më mirë është. Nëse e ka zor me mbajt ushtrinë është ndonjë djalë i ri që mund ta marrë këtë detyrë. Kur ishte Gjykata Speciale nuk mërziteshin për Amerikën”.
Vendimi i qeverisë për taksën do të ndikojë edhe në mënyrën e vazhdimit të angazhimit të NATO-s në Kosovë. /abcnews.al