Taksa për produktet serbe, Haradinaj sqaron Hahn

schedule19:23 - 3 Dhjetor, 2018

schedule 19:23 - 3 Dhjetor, 2018

 

Përballë qëndrimit të palëkundur të qeverisë së Kosovës për të mos hequr taksën prej 100 për qind të produkteve serbe, Brukseli ka zgjedhur të luajë me kartën e liberalizimit të vizave. Pas takimit të zhvilluar të hënën në Prishtinë me komisionerin Hahn, kryeministri Haradinaj ka deklaruar se për heqjen e vizave ka vetëm skepticizëm dhe asnjë garanci.

Qytetarët e Kosovës nuk do të mund të lëvizin të lirë në vendet e BE-së përsa kohë qeveria në Prishtinë do të mbajë në fuqi taksën 100 për qind për produktet serbe. Ka qenë ky produkti i vizitës që komisioneri i BE-së Johanes Hahn zhvilloi të hënën në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Parlamentit, Kadri Veseli.

Sipas mediave kosovare, gjatë takimit Haradinaj theksoi se u detyrua të vendosë taksën për shkak të bllokadave të vazhdueshme që Serbia ka ngritur dhe vazhdon të ngrejë ndaj Kosovës, më e fundit prej të cilave ajo për anëtarësimin në INTERPOL. Më pas, në një konferencë personale për shtyp, Haradinaj përsëriti se taksa 100 për qind do të hiqet vetëm kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Haradinaj u ndal edhe tek situata në veri, duke nënvizuar se në rast nevoje qeveria do të furnizojë me medikamente spitalet dhe klinikat në Mitrovicën Veriore. Ndërsa sa u takon vizave, ai theksoi se Kosova nuk ka asnjë garanci për heqjen e tyre, pasi në Bruksel ka ende shumë skepticizëm. Ndërkohë komisioneri Hahn, i cili vijoi vizitën me një takim me kryeparlamentarin Kadri Veseli, tha se BE ka mbetur i befasuar dhe i zhgënjyer nga lëvizja e Prishtinës.

“Unë dhe të gjithë në BE jemi në dijeni për vështirësitë me të cilat përballet Kosova, ndaj është e nevojshme që të dyja palët të adresojnë çështjet mes tyre”, tha Hahn, edhe ai në një konferencë për shtyp të mbajtur vetëm, pa praninë e zyrtarëve të Kosovës.

Lidhur me çështjen e vizave, komisioneri theksoi se ajo po trajtohet në Këshillin Europian dhe kjo mund të kërkojë vite të tëra.

Viti 2020 më duket më realisti, por mos e mbani veten peng të numrave”, vijoi Hahn./abcnews.al