Taksa për produktet serbe, ambasadori amerikan takon Haradinajn

schedule20:10 - 22 Janar, 2019

schedule 20:10 - 22 Janar, 2019

Taksa për produktet serbe ka qenë subjekt i një takimi mes ambasadorit amerikan në Prishtinë dhe kryeministrit Haradinaj. Në përfundim të takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura ambasadori Filip Kosnet u largua në heshtje, ndërsa Haradinaj bëri me dije se për taksën nuk ka një vendim të ri.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se dëshiron t’i dëgjojë sugjerimet dhe thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për shfuqizimin e tarifës.

“Edhe ne kemi dëshirë që të heqim taksën, me të vërtetë kemi dëshirë me heq dhe e synojmë heqjen e taksës edhe për shkak se është sugjerim i aleatëve tanë, i Amerikës, por edhe pse e ndërlidhim heqjen e taksës me një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës e Serbisë për njohje. Pra edhe ne kemi dëshirë dhe synojmë që sa më shpejt ta heqim. E kishim heq sot ju siguroj sikur të arrinim një marrëveshje pra gjithëpërfshirëse për njohje reciproke”, tha kryeministri Haradinaj.

Në nëntor të vitit të kaluar, qeveria e Kosovës vendosi një tarifë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia si kundërpërgjigje ndaj siç u tha fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Bashkimi Evropian, reagoi duke kërkuar heqjen e këtyre tarifave madje dërgoi dy herë brenda një periudhë të shkurtër në Prishtinë, komisionarin Johannes Hahn, për të diskutuar këtë çështje.

“Komisionari Hahn është ofruar për ndihmë dhe ne i kemi thënë që mundet të na ndihmojë duke përgatitur kapitullin e tregtisë së lirë. Kapitulli i tregtisë së lirë nënkupton krejt marrëdhëniet Kosovë-Serbi në ekonomi. Edhe sikur të merremi vesh për një ngjarje si, për shembull si një ngjarje si Rambouillet, apo ndonjë tjetër ku të mblidhen dhe u mbyllet dera dhe deri sa të gjendet zgjidhja nuk i lëshojnë të dalin edhe atëherë kur të biem dakord, ajo nënkupton të mos ketë pengesa tjera, nuk bën të suspendohet tarifa e pastaj ai të mos i pranoj tabelat. Pra nuk ka më marrëdhënie ku vetëm Kosova e hap derën, ka ndryshuar gjendja shumë, mirëpo nuk jemi ende aty, por tarifat janë në fuqi dhe ju e dini, tarifat suspendohen apo anulohen vetëm me vendim të qeverisë dhe nuk ka si të ndodh ndryshe”, tha kryeministri Haradinaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!