Taksa mbi asetet e trashëguara bujqësore/ Fermerët në Britani dalin në protestë

schedule18:05 - 19 Nëntor, 2024

schedule 18:05 - 19 Nëntor, 2024

Kjo e martë bëri bashkë fermerët anglez në një protestë të organizuar kundër vendimit të fundit të qeverisë. Policia Metropolitane e Londrës (Met Police) vlerësoi se më shumë se 10,000 njerëz morën pjesë në protestën drejt Whitehall, e cila tanimë ka përfunduar.Në revoltën e tyre, fermerët shprehin mosdakortësinë lidhur me ndryshimet në tatimin e trashëgimisë për fermerët, të cilat u njoftuan në buxhetin e këtij viti.

Sipas këtij vendimi, asetet bujqësore të trashëguara, me vlerë mbi £1 milion, të cilat më parë ishin të përjashtuara nga tatimi, do të taksohen me një taksë prej 20%, gjysma e normës së zakonshme. Ndërkohë, në vendim është parashikuar gjithashtu që një çift i martuar ose ata që janë në një partneritet civil të mund të kalojnë një fermë me vlerë deri në £3 milion, pa paguar tatimin e trashëgimisë.

Kryeministri Keir Starmer tha se ai e kupton shqetësimin e fermerëve dhe do të dëshironte t’i mbështeste ata, por shtoi se shumica dërrmuese e fermave nuk do të preken fare nga ky ndryshim.
Numri i fermave që mund të preken nga ndryshimi i tatimit të trashëgimisë është i diskutueshëm. Qeveria thotë se ndryshimi do të prekë vetëm 500 pasuri të pasura çdo vit, por NFU dhe Shoqata e Tokës dhe Biznesit të Fshatit (CLA) kanë vlerësuar se deri në 70,000 ferma mund të ndikohen.

Pjesëmarrës në protestën marshuese drejt Whitehall ishte gjithashtu Jeremy Clarkson, i cili tha se “është fundi” për fermerët, duke kërkuar që qeveria të ndryshojë mendje.
Jeremy Clarkson tha se ai mendon se ndryshimi në tatimin e trashëgimisë ishte “një vendim i nxituar dhe i marrë në momentin e fundit”. Ai shtoi: “Mendoj se të gjithë bëjmë gabime në jetë, dhe mendoj se është koha që ata të thonë E dini çfarë, kemi gabuar këtë herë! dhe të tërhiqen.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!