Takimi Trump-Kim, Pence devijon axhendën e politikës së jashtme

schedule19:01 - 3 Maj, 2018

schedule 19:01 - 3 Maj, 2018

Zëvendës presidenti Mike Pence ka shtyrë vizitën e planifikuar këtë muaj në Brazil, për t’u siguruar që të gjitha burimet e politikës së jashtme amerikane të jenë të fokusuara tek takimi i paralajmëruar mes presidentit Trump dhe liderit koreano-verior Kim Jong un. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e numrit dy të Shtëpisë së Bardhë.

Për momentin mbi takimin e shumëpritur mes Trump dhe Kim nuk ka një datë dhe një lokalitet të caktuar, por pritet që ai të mbahet në fund të majit ose në fillim të qershorit. Dhe Pence, sipas zëdhënëses së tij, nuk dëshiron të devijojë vëmendjen nga ky takim historik. Pence do të vizitonte Rio de Zhaneiron më 30 maj, ndërsa një ditë më vonë do të takohej në kryeqytetin Brazilia me presidentin Michel Temer dhe anëtarët e kabinetit të tij.

Gjatë këtij udhëtimi ishte parashikuar edhe një ndalesë në Manaus, një qytezë pranë kufirit me Venezuelën, vend që është kritikuar ashpër nga administrata Trump, e cila ka shqyrtuar edhe vendosjen e sanksioneve. Pavarësisht shtyrjes së vizitës, zëdhënësja ka shtuar se zëvendës presidenti do ta vizitojë Brazilin në një të ardhme të afërt për të thelluar bashkëpunimin me aleatët e Shteteve të Bashkuara në Amerikën Latine. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!