Takimi Thaçi-Vuçiç në 7 shtator në Bruksel

schedule15:45 - 25 Gusht, 2018

schedule 15:45 - 25 Gusht, 2018

Dialogu i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE, do të vijojë në 7 shtator në Bruksel. Në këtë datë do të takohen në kryeqendrën europiane presidentët e dy vendeve Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiç, në praninë e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini. Ka qenë vetë zyra e zonjës Mogherini, që ka bërë të ditur lajmin për takimin Thaçi-Vuçiç, në kuadër të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Përfaqësuesja e Lartë do të vazhdojë diskutimet me dy presidentët rreth marrëveshjes së normalizimit në drejtim të arritjes së progresit konkret, duke marrë parasysh prioritetin e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe perspektivën europiane të rajonit”, thuhet në deklaratën e zyrës së Mogherinit.

Një temë diskutimi në këtë takim mes dy presidentëve mund të jetë edhe ajo e rishikimit të kufirit të përbashkët, sipas një ideje të hedhur javët e fundit nga presidenti kosovar. Vetë Thaçi kishte deklaruar disa ditë më parë se e ka gati një plan për korrigjimin e kufirit që do t’ja prezantonte homologut të tij Vuçiç në shtator gjatë takimit në Bruksel./abcnews.al