Takimi Rama-Merkel, kancelarja: Tërmeti goditje e rëndë, mbështetje për hapjen e negociatave

schedule15:55 - 27 Janar, 2020

schedule 15:55 - 27 Janar, 2020

Pas Italisë, kryeministri Edi Rama mori edhe nga Gjermania mbështetjen si pjesë e konferencës së donatorëve që do mbahet në Bruksel më 17 shkurt për të ndihmuar financiarisht Shqipërinë në kapërcimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Para takimit me Ramën në Berlin, kancelarja ka nënvizuar gadishmërinë e Gjermanisë.

“Jam e kënaqur që Komisioni Evropian ka thirrur një konferencë donatorësh më 17 shkurt për të avancuar rindërtimin. Gjermania do të marrë pjesë në këtë konferencë të donatorëve. Bashkëpunimi në rajon ishte vërtet mbresëlënës. Sidoqoftë, tërmeti ka qenë një goditje e fortë për Shqipërinë”, u shpreh Merkel.

Kryeministri falenderoi interesimin dhe solidaritetin nga të gjitha strukturat ndihmëse nga Gjermania dhe vendet e tjera të rajonit si një lehtësim për popullin shqiptar.

“Shqipëria ka një nevojë të madhe për të gjetur mbështetje nga të gjithë miqtë e partnerët në procesin e vështirë të rindërtimit, i cili bazuar në raportin e dëmeve të hartuar në bashkëpunim me BE, kërkon një shumë që është përtej mundësive tona”, tha Rama.

Shqipëria, ashtu si Maqedonia e Veriut janë në pritje të një vendimi të ri të Këshillit Europian për hapjen e negociatave të antarësimit. Kancelarja Merkel konfirmoi qëndrimin pro të Gjermanisë në takimi e Këshillit në Mars.

“Do doja ta thoja qartë se ka shumë arritje, sidomos për sa i takon reformës në drejtësi. Kjo reformë duhet të vazhdojë në mënyrë që të plotësohet. Reforma në drejtësi është një komponent kyç për të ardhmen e Shqipërisë. Në BE të gjithë duam që të arrijmë një marrëveshje në takimin e ardhshëm të Këshillit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet kanë shumë arritje. Ne e patëm këtë qëndrim gjatë mbledhjes sonë të fundit. Tani ne do punojmë fort për të arritur rezultatet që duam në muajin Mars. Unë besoj se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian, edhe e Shqipërisë e nuk është vetëm në interesin e këtyre vendeve por edhe në interesin tonë. Sepse kushdo që shikon hartën, kush njeh kontekstin gjeopolitik, e di që është mirë për të gjithë nëse një ditë vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtare të BE. Meqenëse edhe Komisioni i ri Europian synon të jetë një komision gjeopolitik, ka më shumë se më pak arsye për ta çuar përpara këtë process me vendosmëri”, tha Merkel.

Kryeministri ka vlerësuar rolin gjithnjë mbështetës të kancelares, por edhe punën e Komisionit të ri Europian.

“Roli i Gjermanisë dhe juaji personal kanë qenë një mbështetje e jashtëzakonshme dhënien e dritës jeshile në përparimin e këtij procesi. Do doja të shprehja edhe një herë vlerësimin tim për mënyrën se si e ka nisur punën Komisioni i ri Europian. Tepër e rëndësishme që edhe ju e nënvizuat këtë. Ne tashmë kemi një dimension më të qartë gjeopolitik në punën e Komisionit. Kjo do na ndihmojë shumë ne dhe të gjithë rajonin

Në njoftimin e kancelarisë gjermane thuhet se tema të takimit Merkel Rama janë marrëdhëniet dy palëshe mes dy vendeve, por edhe presidenca shqiptare e OSBE dhe cështjet rajonale”, tha më tej Rama./abcnews.al