Takimi Pompeo-Vuçiç, analistët: Serbia po ndryshon platformën për Kosovën

schedule20:33 - 22 August, 2019

schedule20:33 - 22 August, 2019

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi gatishmërinë e tij për të firmosur një marrëveshje me Kosovën  nga e cila nuk do të kishte as fitues e as humbës. Analistët në Beograd thonë se takimi i tij me Sekretarin amerikan të Shtetit, Majk Pompeo, konfirmon se roli i Amerikës për zgjidhjen e problemit po bëhet vendimtar dhe se presidenti Vuçiç po përgatit publikun për njohje reciproke. 

Takimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq me Sekretarin amerikan të Shtetit, Majk Pompeo, në Nju-Jork sipas analistëve në Beograd, është sinjal se Serbia dalëngadalë po ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës. Gazetari i njohur Boshko Jakshiq argument për këtë  merr deklaratën e Vuçiqit, menjëherë pas takimit, se kur është fjala për zgjidhjen e çështjes së Kosovës ‘nuk është i rëndësishëm çmimi politik që do të paguhet’.

“Kjo më flet se ky është vazhdim i procesit të përgatitjes së publikut në Serbi për një zgjidhje që mund të çojë drejt njohjes së ndërsjellë. Pra duket ashiqare se platforma politike e Beogradit ka ndryshuar dhe ka avancuar deri në pikën sa të mendohet për njohje”– ka deklaruar Boshko Jakshiç për televizionin e pavarur serb N1.

Presidenti Aleksandar Vuçiç, ndërkaq në një intervistë të gjatë për seksionin serb të Zërit të Amerikës nuk e ka fshehur se gëzon mbështetjen si të Amerikës, ashtu edhe të Evropës, për shkak se, sikurse thotë, ata e dijnë se ‘është njeri për të cilin ‘kompromisi nuk është disfatë’:

“Mund të bisedojmë për gjithçka, vetëm nëse fjala është për kompromis, por që shqiptarët të fitojnë gjithçka, e Serbia të mos marrë asgjë – firmën time nuk do e merrni kurrë. As mbështetjen time nuk do ta keni për këtë. Në këtë moment jam President I Serbisë, mbase e gjeni dikën tjetër që do të dëshirojë ta pranojë këtë pa kurrfarë kompromisi, duke ndjekur vetëm ultimatumet. Prandaj kam ofruar zgjidhje kompromise”– i tha Vuçiç seksionit serb të Zërit të Amerikës, duke lënë të kuptohet se në takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, por edhe me Metju Palmerin, një ndër ndihmësit e tij, si dhe me Dajmon Uillsonin kishte biseduar për modalitete të ndryshme të kësaj zgjidhjeje kompromise, jo vetëm për demarkacionin, por edhe për Doktrinën e Hallsteinit për njohjen e qeverive, shembullin e dy Gjermanive.

Eduard Jozzef, ligjërues në Universitetitn Xhon Hopkins të Uashingtonit ndërkaq thotë se e mira e takimit për rifillimin e dialogut është se Sekretari i Shtetit nuk ka folur me gjuhën e Xhon Boltoit, Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin çfarëdo zgjidhjeje për të cilën merren vesh Serbia dhe Kosova: Do të duhej të  qëndrojnë larg zgjidhjeve të rrezikshme e të debatueshme,-ka thënë Xhozef. Analistët në Beograd vlerësojnë se aktualisht, duke marrë parasysh ndikimin e Uashingtonit mbi Prishtinën, por dhe kontaktet intensive të administrates amerikane me palën serbe duket se roli i Amerikës për arritjen e Marrëveshjes Kosovë-Serbi ka për të qenë vendimtar. /ABC News Albania 24/7