Takimi mes dy Koreve, shpresa e Shtëpisë së Bardhë

schedule10:33 - 27 Prill, 2018

schedule 10:33 - 27 Prill, 2018

SHBA shpreson që takimet me Korenë e Veriut të sjellin paqe për të gjithë gadishullin. Ndërkohë, janë publikuar dhe imazhet e takimit të sekretarit të shtetit Mike Pompeo me liderin e regjimit komunist, Kim Jong-un.

Shtetet e Bashkuara shpresojnë që samiti ndërkorean të kontribuojë në hapjen e “një të ardhme paqeje”. Ky është komenti i Shtëpisë së Bardhë për takimin historic mes liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un dhe presidenti të Jugut, Moon Jae-in.

“Shpresojmë – lexohet në një komunikatë të Shtëpisë së Bardhë – që mbledhjet të arrijnë progres drejt një të ardhme paqeje dhe prosperiteti për të gjithë gadishullin Korean. SHBA-të vlerësojnë koordinimin e ngushtë me aleatin tonë, Republikën e Koresë, dhe presin vazhdimin e diskutimeve të rëndësishme në përgatitjet për takimin e parashikuar mes presidentit Donald Trump dhe Kim Jong-un në javët e ardhshme”, përmbyllet komunikata.

Në vigjilje të samitit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, ka shpërndarë përmes tuiterut fotografitë e takimit mes sekretarit të shtetit të ri, Mike Pompeo dhe liderit koreanoverior, Kim Jong-un. Imazhet, të shkrepura përpara pashkëve kur Pompeo ishte akoma drejtor I CIA-s, tregojnë një shtrengim duarsh mes të dyve, që në pozë shikojnë tek kamera dhe në një tjetër fiksojnë shikimin tek njëri-tjetri ndërsa sfondi është i dekoruar në një stil oriental.

“Është fantastike që Pompeo është konfirmuar si sekretar shteti. Do të bëjë një punë të shkëlqyer në drejtimin e përpjekjeve tona për çarmatosjen bërthamore të gadishullit Korean”, shkruan Sanders duke komentuar fotografitë. /abcnews.al