“Takimi me Vuçiç nga mesi i qershorit”, Kurti: Në Kosovë s’mund të kemi asociacion një-etnik

schedule13:27 - 1 Qershor, 2021

schedule 13:27 - 1 Qershor, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur sot se takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, do të mbahet nga mesi i qershorit.

“Nuk kam presion. Ka diskutime të vazhdueshme. Dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë, por palë në bisedime. Me programin tonë dhe me ndërgjegjen dhe përgjegjësinë që kemi treguar, do ta përfaqësojmë Kosovën”, tha Kurti.

Kryeministri kosovar i bëri komentet gjatë një vizite në Parkun e Biznesit në Prizren.

I pyetur nga gazetarët për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti tha se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë.

“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion një-etnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie.”

Kujtojmë se me një marrëveshje të vitit 2013, të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel parashikohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse thotë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të qeverisë së Kosovës. Presidenti serb insistion që Asociacioni të formohet. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!