Në një listë me PD, negociata për pozicionin, Mediu: Programi të përfshijë edhe idetë e PR

schedule18:40 - 19 Shkurt, 2021

schedule 18:40 - 19 Shkurt, 2021

Partia Republikane do të jetë në një listë me PD-në në koalicionin opozitar për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa negociatat do të vijojnë deri të mërkurë për pozicionin në renditje. Mbrëmjen e sotme rreth orës 18:30 përfundoi takimi i Lulzim Bashës me Fatmir Mediun në selinë e PD-së. “Do garojmë në një koalicion me PD-në” tha ai.

Kreu i Republikanëve i pyetur sa është numri i kandidatëve që ai kërkon që të jenë në listën fituese, u shpreh se “Ka një analizë të thjeshtë bazuar te referenca e votave të marra në zgjedhje.

Por pavarësisht kush është emri në listë, PR do të jetë kontributore për të marrë vota edhe në zona ku nuk ka pretendime për mandate, por për të kontribuar për koalicionin” tha ai.

Gjatë prononcimit për mediat ai kishte edhe një kërkesë për Partinë Demokratike. “Programi i PD është i plotë, por duhet të përfshihen edhe idetë e partive të tjera” tha ai, referuar forcës që drejton.

Gjithashtu ditën e sotme lideri demokrat ka pasur një takim edhe me Shpëtim Idrizin për detajet e marrëveshjes. Deri tani Lulzim Basha ka arritur dakordësinë me Agron Dukën, Nard Ndokën dhe Dashamir Shehin, por dy aleatët e tjerë nuk kënaqen me nga një mandat të sigurt.

Të hënën Lulzim Basha ka parashikuar që të ulet në tryezë edhe me Vangjel Dulen për të përcaktuar qarkun ku do të kandidojë kreu i PBDNJ-së, ku mundësitë kryesore janë Korça dhe Vlora.

Të mërkurën e 24 shkurtit, Lulzim Basha do të duhet të dorëzojë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, listën e koalicionit opozitar dhe emrin me të cilën koalicioni do të përfaqësohet. Të gjithë partitë që do të jenë në koalicion me PD janë regjistruar tashmë në KQZ, por emrat e kandidatëve të tyre do të jenë të përfshirë në listën e Partisë Demokratike dhe do të bëhen publike në 5 mars./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!