Takimi i Vjenës, cila është historia e vitit 2003 e Hashim Thaçit me Zoran Zivkovic

schedule19:08 - 17 Maj, 2022

schedule 19:08 - 17 Maj, 2022

Zoran Zivkovic është një politikan serb që i kishte rënë hise të jetë për disa muaj Kryeministër i Serbisë, pas vrasjes së Zoran Djindjic. Pikërisht në periudhën (2003 -2004), kur Zivkovic ishte në krye të ekzekutivit serb bashkësia ndërkombëtare kishte marrë iniciativë ta ndërmjetësojë takimin e parë Kosovë -Serbi të pas luftës. Në kryeqytetin austriak kishin pranuar të udhëtojë Presidenti Rugova e Kryetari i Parlamentit Nexhat Daci, por jo edhe Kryeministri Bajram Rexhepi i cili vinte nga PDK e Hashim Thaçit. Zivkovic tash është në krye të Nova Stranka të cilën e ka tërhequr sot nga grupimi i partive liberale për shkak se aty është anëtarësuar PDK e themeluar nga Hashim Thaçi.

Katër vjet pas luftës bashkësia ndërkombëtare kishte ndërmarrë një hap për t’i ballafaquar Kosovën e Serbinë frontalisht, në takimin e parë që nga nga viti 1999, apo koha e Rambujesë kur dy palët kishin ndarë të njëjta hapësira, por s’u kishte rënë të flisnin mes vete.

Në vitin 2003 ish shefi i UNMIK’ut finlandez Harri Holkeri ishte figura që kishte bërë bashkë dy palët. Ftesa për të udhëtuar në Vjenë kishte shkaktuar rrëmujë në skenën politike atëherë. PDK e udhëhequr nga Hashim Thaci nuk i kishte dhënë lejen Kryeministrit Bajram Rexhepi të udhëtonte atje kështu që drejt Austrisë kishte udhëtuar Presidenti Rugova në dhe Kryeparlamentari Nexhat Daci, që gati e rivalizonte Rugovën me popullaritet atë kohë. Palën serbe e kishte Zoran Zivkovic Kryeministri që kishte marrë postin pas vrasjes së Zoran Djindjic.

Takimi ishte mbajtur në Kancelarinë Federale Austriake në tetor të vitit 2003.

Sipas raportimeve të agjencive, bisedat e sponsoruara nga OKB kishin për qëllim ta shmangnin cështjen e statusit të Kosovës: se a do të bëhej Kosova e pavarur, kërkese e shqiptarëve etnikë apo të mbetej pjesë e Serbisë, kërkesë e lidershipit të Beogradit.

Por, tema s’kishte mundur të mbahej e mbyllur. Pala kosovare kishte kërkuar pavarësi ndërsa serbët kishin refuzuar këtë. Në zyrat e kancelarit austriak, ndërtesë e stilit barok e shekullit 19’të, ishte refuzuar edhe duarshtrëngimi ceremonial ndërmjet palëve.

Që nga përfundimi i luftës, rikujtonin asokohe agjencitë e lajmeve që Kosova po administrohej nga OKB.

“Vendi im, Kosova do që të bëhet pjesë e Unionit Europian, NATO’s” citohet Presidenti Rugova duke u thënë të pranishmëve. “Kjo nënkupton një Kosovë demokratike paqësore dhe e pavarur”

“Pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm: kishte thënë Nexaht Daci. “Kosova është e përgatitur ta arrijë këtë me cdo çmim” kishte shtuar ai.

Kryeministri serb Zoran Zivkvic kishte thënë se në takimin tre orësh nuk kishte arritur më shumë se një “qëndrim në të njëjtën tavolinë”.

Për ngjarjen ishte deklaruar edhe Departamenti Amerikan duke u bërë thirrje palëve që të marrin pjesë në proces.

Në takim kishin marrë pjesë edhe Sekretari i NATO’s George Robertson, Chris Patten shef i Komisionit të BE’së për çështje të jashtme, si dhe Javier Solana zyrtar i lartë i BE’së për Siguri.

Mediat ndërkombëtare raportonin se takimi ishte “minuar” seriozisht nga mungesa e Kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi.

Para takimit, shefi i UNMIK’ut Harri Holkeri kishte bërë një reagim duke potencuar tërthorazi mungesën e qeverisë.

“E gjithë bashkësia ndërkombëtare ka punuar me ngulm që ta përkrahë Presidentin Ibrahim Rugova dhe liderët tjetër që t’i japin shanse popullit të Kosovës që të përfaqësohet në një bazë të gjerë në hapjen e bisedave direkte ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. /Express