“Takimi i Teatrit Kadri Roshi”, shfaqjet konkurojnë në Gjirokastër

schedule19:59 - 17 Nëntor, 2018

schedule 19:59 - 17 Nëntor, 2018

Teatri “Zihni Sako” në qytetin e Gjirokastrës në 50-vjetorin e tij ka sjellë dhe edicionin e parë të festivalit “Takimi i teatrit Kadri Roshi”. Shtatë trupa teatrore konkuruan në skenë dhe me çmimin e parë u vlerësua teatri “Skampa” në Elbasan me komedinë “Volpone”.

Gjirokastra për 7 ditë me radhë u kthye në një qendër teatrale për të gjithë. Në natën finale të edicionit të parë të festivalit “Takimi i teatrit Kadri Roshi” u ngjit në skenë trupa e teatrit “Metropol” Tiranë me komedinë “Mbesa e Krahinarit”. Një komedi me autor Kristo Flloqi dhe regjizor Aldi Hysotoci. Pjesë e trupës teatrore përveç aktorëve të rinj merrnin pjesë dhe emra elitë si Luftar Paja.

Juria profesioniste vlerësoi me çmimin e parë teatrin “Skampa” të Elbasanit me komedinë “Volpone” e autori Ben Jonson dhe regjisor Adonis Filipi. Aktori i njohur Timo Flloko si pjesë e jurisë çmimin e parë ia dha publikut gjirokastrit, për të cilin kishte vlerësimin maksimal. Flloko nuk kurseu as kritikat për trupat teatrore.

“Për mendimin tonë si juri mund të kishte një nivel më të mirë . Kjo do të thoja që ka ardhur në një moment teatri që duhet të rrisë profesionalitetin dhe nivelin e vet në të gjitha drejtimet”, u shpreh ai.

Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Albert Minga, Ndriçim Xhepa dhe Kristiana Dida ishin juria profesioniste që vlerësoi shfaqjet që morën pjesë në festival./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!