Gjatë fjalës së tij në samitin e “Open Balkan” në Ohër, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ftoi Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit si Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina që t’i bashkohen nismës së “Ballkanit të Hapur”.
Presidenti serb propozoi që samiti i ardhshëm i Ballkanit të Hapur të zhvillohet në fund të verës Serbinë Jugore, teksa theksoi se nisma e Ballkanit të Hapur është diçka që nuk ndalet dhe se nëpërmjet saj vendet anëtare kanë zgjidhur probleme që i kishin që prej 50-60 vitesh.
“Me Open Ballkna zgjidhëm probleme që i kishim prej 50-60 vitesh. Ne nuk kemi asnjë kërkese ndaj askujt përveç të jemi miq e të punojmë për interesin e qytetarëve tanë.
Kjo është diçka që nuk mund të ndalet. Të ketë sa më shumë ithtarë. Dëshiroj që ti përparojmë marrëdhëniet tona. Takimin e ardhshëm propozoj ta bëjmë në Serbinë jugore në fund të verës.
Propozoj që takimi i ardhshëm të jetë në Serbinë Jugore, ku duhet të themelojmë menjëherë grupe pune, se si të ndihmojmë njëri-tjetrin, qytetarët e tre vendeve tona, por edhe të gjithë rajonit.
Janë të mirëseardhur të gjithë vendet e tjera të Bosnjes, Prishtinës, Malit të Zi, etj. Duhet të përshpejtojmë projektet tona të përbashkëta. Sot nënshkruajmë marrëveshjen e diplomave, të lejeve të punës, që të shohim se çfarë dëshirojnë njerëzit.
Të shohim çfarë mund të bëjmë për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve, të mallrave, për turizmin, që njerëzit të shkojnë në det në Shqipëri, të vijnë te ky liqen i mrekullueshëm në Ohër, në Shkup.
Të punojmë për fushën e energjetikës bashkarisht, se si ti mbijetojmë dimrit. Të përshpejtojmë marrëdhëniet e përbashkëta, për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve. Hapja e negociatave varet nga disa të tjerë“, tha presidenti serb në fjalimin e tij në samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër.
Sot po zhvillohet dita e dytë e samitit “Ballkani i Hapur”.
Liderët e 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Ohër për takimin e radhës të nismës. Për herë të parë marrin pjesë si vëzhgues Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, të përfaqësuar nga kryeministrat e tyre Dritan Abazoviç dhe Zoran Tegeltija. Në Ohër kanë mbërritur dje edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Mikpritësi i takimit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski i ka pritur 4 liderët e vendeve fqinje në një darkë mirëseardhjeje.
Nga 6 vendet e rajonit tonë, mungon vetëm Kosova. Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar homologun e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.
/abcnews.al/