Takimi i Ohrit për minishengenin, Kurti: I nxituar, Shqipëria duhet t’i nisë me Kosovën projekte të tilla

schedule15:57 - 13 Nëntor, 2019

schedule 15:57 - 13 Nëntor, 2019

Kandidati për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes Albin Kurti e cilëson të nxituar takimin e mbajtur në Ohër për Minishengenin Ballkanik. Ai tha në një konferencë për mediat se projekte të tillë Shqipëria duhet t’i nisë me Kosovën dhe jo me Serbinë. Takimin trepalësh të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Ohër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e quan të nxituar.

Sipas Albin Kurti, Shqipëria zyrtare është dashur të presë të formohet qeveria e re e Kosovës, e jo të nxitohet me takime në Novi Sad e Ohër.

Madje, për kandidatin për kryeministër të Kosovës, projekte të tilla Shqipëria duhet të nisë me Kosovën dhe jo me Serbinë.

Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri, vazhdon Kroaci-Bullgari, vazhdon Sarajevë zyrtare, Podgoricë zyrtare, Shkup zyrtar e Beogradi në fund. Sepse i tillë çfarë është ai i pa penduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara në luftim të vazhdueshëm me Moskën e Putinit nuk mund të ketë. Rrjedhimisht mendoj që edhe mbledhja e Novi Sadit edhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa. Shqipëria zyrtare u ankua se nuk ka pasur qeveri të denjë në Kosovë. Meqenëse ka pritur Shqipëria zyrtare për një qeveri të denjë të Kosovës shumë vjet, ka mundur të pres edhe pak javë që të formohet kjo qeveri.

Ndërsa duke folur për bisedimet për koalicionin qeverisës me LDK-në Kurti tha se me këtë parti kanë përfunduar 80 % të harmonizimit të programit qeverisës.

Ai nuk ka saktësuar se kur do të ndodh takimi ndërmjet liderëve të këtyre dy partive.

Ajo çfarë ne kemi bërë në ndërkohë është një kulturë e re e formimit të Qeverisë para se ta kemi kulturën e re qeverisëse. Kemi diskutuar për temat, për çështjet. Kemi harmonizuar programin e përbashkët qeverisës dhe kjo është kryer mbi masën 80 për qind, dhe unë jam shumë i lumtur për këtë gjë. Ka ngelur edhe pjesa tjetër që është ndarja e përgjegjësive, funksioneve, pozitave, pra ministrive bashkë me kryetarin e LDK-së, ne natyrisht që edhe do të takohemi dhe do të merremi vesh, sepse populli na i ka përcaktuar dhe përkufizuar një gjë të tillë

Kreu i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se  pa certifikim të rezultateve nuk do të vendoset për bashkëqeverisje me LVV-në.

Nu do të ketë asgjë serioze pa certifikimin e rezultateve. Rezultatet nuk do të certifikohen për 15-20 ditë sepse deri atëherë nuk e dijmë se sa deputetë do t’i ketë LDKja e sa LVV-ja.

Ndërsa mbetet pikëpyetje nëse Nisma do të kalojë pragun pas vendimit të PZAP-së që votat nga Serbia të hiqen nga rezultatet përfundimtare. Në rast të hyrjes së kësaj partie në Kuvend atëherë LVV  dhe LDK nuk do të kenë më shumicën e votave por së paku 4  deputetë më pak.

Raporti: Blerta Dalloshi Berisha

Kamera: Visar Kryeziu