KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti raporton sot në Kuvendin e Kosovës për takimin e Ohrit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Në këtë seancë, janë parashikuar të shqyrtohen 16 pika të rendit të ditës, ndër të cilat edhe shqyrtimi i propozim-rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.
Shefi i qeverisë pritet të gozhdohet nga pyetjet e opozitës, e cila ka shprehu rezerva sa i takon takimit të Ohrit dhe dakordësisë së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve.
Në takimin e Ohrit u konfirmua nga palët se kishte dakordësi, por nuk pati asnjë dokument zyrtar të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë. Në Kosovë, konkretisht kryeparlamentari Glauk Konjufca është shprehur se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse kërkohet formimi i asociacionit me kompetenca ekzekutive, një shqetësim ky i kahershëm i politikës, por dhe vetë qytetarëve të Kosovës.
“Kemi marrë garanci të forta që asociacioni do të jetë një lloj forumi. Por, nëse kërkohet që asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive ose të bëhet me ndryshime kushtetuese, mendoj që asgjë më nuk ka vlerë dhe vendi duhet të shkoj në zgjedhje”, u shpreh ai.
Kurti më tej ka kërkuar nga ndërkombëtarët të dënojnë sjelljen e Serbisë me argumentin se Beogradi nuk po zbaton asnjë prej marrëveshjeve të nënshkruara deri tani./n.m.abcnews.al