Takimi i Brukselit, Mentor Nazarko: Brenda marrëveshjes, njohja është e qartë

schedule16:38 - 28 Shkurt, 2023

schedule 16:38 - 28 Shkurt, 2023

KOSOVË- Kosova dhe Serbia kanë pranuar planin franko-gjerman dhe kjo u konfirmua nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian. Kjo çështje, e cila është temë kryesore e zhvillimeve në Prishtinë dhe Beograd vijon te komentohet në qarqet politike dhe ato mediatike, ndërsa nuk kanë munguar vlersësimet dhe kritikat për këtë zhvillim. Analisti Mentor Nazarko tha për emisionin “Ballkan Update” në ABC News e cilësoi “lajm të mirë” pajtimin e palëve për planin franko-gjerman.

Ai u shpreh se më këtë hap, Kosova del nga izolimi ndërkohë Serbia për shkak të presioneve duket se po ndryshon kursin e vet të orientimin politik nga lindja drejt perëndimit.

“Kanë funksionuar të dyja metodat, edhe shkopi dhe karota. Është një lajm i mirë për Kosovën, por dhe për Serbinë, pasi e shohim Serbinë të bëjë hapa të zhvendosjes së aksit të saj gjeopolitik më shumë nga perëndimi  se sa nga lindja. Arsyeja kryesore e këtyre hapave është presioni. Është lajm i mirë për Kosovën, sepse Kosova del nga bllokada ndërkombëtare që e ka karakterizuar bllokimin e saj në Evropë, botë dhe në rajon”, tha ai.

Ai theksoi se me këtë hap do të arrihet njohja e ndërsjellë mes dy vendeve.

“Firmosja do jetë për të gjithë planin, për 11 nenet, dhe pjesa e zbatimeve. Firmat do mund të vendosen në një dokument që mban 11 nenet dhe parashikimet me afat të këtyre të mosmarrëveshjeve dhe problemet që ekzistojnë mes dy vendeve. Palët kanë divergjenca për zbatimin.  Unë mendoj se brenda kësaj marrëveshjeje, njohja është e qartë, ajo bërtet, por ajo nuk bërtet me emrin e vet. Në momentin që të dyja palët pranojnë misione diplomatike mes dy vendeve, kjo është njohje. Në këto kushte është njohje, nuk është në atë të tipit që Serbia njeh Kosovën. Në këtë plan franko-gjerman kemi firmosje të një dokumenti unik”, theksoi ai.

Mes tjerash, Nazarko theksoi se në këto rrethana të reja, faktori politik në Kosovë duhet të jetë i unifikuar.

“Kosova duhet të jetë bashkë dhe të mos humbasë miqtë dhe për këtë arsye duhet të tregojë unitet. Nëse Kosova do ta kishte këtë unitet në negociatat e Uashingtonit, ajo marrëveshje do ishte firmosur, dhe Kosova do ishte më përpara. Me garancinë e presidentit amerikan do kishte më shumë karota ekonomike dhe mirëkuptimin e fshehtë rus, sepse Rusia e asaj kohe kishte marrëdhënie të mira me presidentin Trump”, tha ai./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!