Trafikimi pjesëve të kafshëve, si brirët e rinocerontit apo dhëmbët e elefantëve është një biznes kriminal që sipas OKB faturon miliarda dollarë në vit. Në përpjekje për të frenuar kasaphanën që po u bëhet kafshëve policia tajlandeze ka arrestuar një person që dyshohet të jetë në krye të këtij trafiku.
Policia tajlandeze ka arrestuar një person që dyshohet të jetë kreu i rrjetit më të madh të trafikut të produkteve të botës së egër, një biznes kriminal që në dekadën e fundit u ka sjellë fitime marramendëse bandave aziatike. Boonchai Bach, një 40-vjeçar me origjinë vietnameze, u ndalua në kufirin mes Tajlandës dhe Laosit teksa transportonte brirë rinoceronti të importuar nga Afrika me vlerë 1 milion dollarë. Ai rrezikon të dënohet me 4 vjet burg për trafikim të pjesëve të ndaluara të kafshëve, ndaj dhe mediat aziatike e kanë pagëzuar si “kumbari i botës së egër”. Policia tajlandeze ka deklaruar se organizata e 40-vjeçarit e ka ushtruar aktivitetin e saj për më shumë se një dekadë, por pas mbikëqyrjes së lëvizjeve të anëtarëve të saj ka siguruar mjaftueshëm prova për ta inkriminuar. Trafikimi i brirëve të rinocerontit, dhëmbëve prej fildishi të elefantit, por edhe lëkurës së tigrit është një aktivitet që sipas agjencive të OKB-së faturon disa miliardë dollarë në vit. Blerësit ekskluzivë të këtyre produkteve janë pasanikët kinezë dhe vietnamezë, që fildishin dhe lëkurat e kafshëve i përdorin për objekte zbukurimi dhe aksesorë personalë, ndërsa sytë e tigrave i koleksionojnë pasi i konsiderojnë fatsjellës./abcnews.al