Tajfuni “Mangkhut” shkakton të paktën 30 viktima në Filipine

schedule12:18 - 16 Shtator, 2018

schedule 12:18 - 16 Shtator, 2018

Disa pjesë të Kinës janë në gatishmëri të lartë, pasi shirat e fortë dhe erërat e forta nga Tajfuni “Mangkhut” filluan të godasin bregun jugor. Më shumë se 111 njerëz janë plagosur në Hong Kong, ku rrokaqiejt u goditën nga era që shkatërroi shumë dritare. Së paku 30 njerëz kanë vdekur në Filipine nga Tajfuni “Mangkhut” por ndikimi i plotë në zonat rurale ende nuk dihet. Mangkhut konsiderohet stuhia më e fortë e vitit 2018.

Në Hong Kong, autoritetet lëshuan alarmin maksimal, me banorët e paralajmëruar për të qëndruar brenda për të shmangur dëmtime të mundshme nga sende që fluturojnë nga stuhia. Erërat atje thuhet se kanë arritur më shumë se 117 km / h. Niveli i ujit në disa zona arrin në gati 3.5 metra. Shumica e dyqaneve dhe shërbimeve publike u mbyllën dhe më shumë se 800 fluturime janë anuluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kongut – që prekin më shumë se 100,000 pasagjerë.

Mijëra njerëz janë evakuar nga Guangdong, në kontinentin kinez, për shkak të “Mangkhut”. Autoritetet në provincën e mbipopulluar gjithashtu lëshuan nivelin më të lartë të paralajmërimit, alarmin e kuq. Tajfuni është 22-ti i këtij viti, por Qendra Kombëtare Meteorologjike e Kinës thotë se mund të jetë më i fuqishmi.

Ndërkohë, shumë nga viktimat në Filipine janë shkaktuar nga rrëshqitjet e dheut në dy rajone. Mes viktimave është një foshnje dhe një fëmijë. /abcnews.al