Me një nderim që u rezervohet vetëm figurave të larta, në Bangkok nisi të shtunën ceremonia mortore në nder të pronarit të klubit të futbollit Leiçester Siti. Ceremonia do të zgjasë 7 ditë dhe të dielën në Tailandë do të jenë të pranishëm edhe lojtarët e ekipit.
Në një tempull në Bangkok nisi të shtunën ceremonia mortore në nder të pronarit të Leiçester Sitit, i cili humbi jetën javën e kaluar në një incident. Ceremonia nisi me një rit tradicional budist ku u përdor ujë i dhuruar nga familja mbretërore dhe një urnë e madhe hiri në shenjë nderimi. Familja mbretërore ua garanton një funeral të tillë vetëm zyrtarëve të lartë të shtetit ose njerëzve që kanë punuar në të mirë të vendit. Ceremonia, e mbyllur për publikun dhe mediat, u ndoq nga familjarë të Viçai SRI-VAD-DHAN-APRA-BHA, politikanë tailandezë dhe përfaqësues të federatës lokale të futbollit. Riti tradicional ia la vendin një recitimi, i cili zgjat plot 7 ditë. Lojtarët e ekipit u nisën drejt Tailandës të shtunën, pas ndeshjes së Premier Ligës kundër Kardif Sitit, të cilën e fituan 1 me zero. Viçai, themelues i gjigandit tailandez të tregtisë “King Pauër Internejshënëll”, humbi jetën javën e kaluar pasi helikopteri me të cilin udhëtonte u rrëzua jashtë stadiumit të Leiçesterit pas ndeshjes së Premier Ligës, bashkë me 4 persona të tjerë në bord. Ai e bleu klubin britanik të futbollit në vitin 2010 dhe 6 vjet më vonë bëri realitet ëndrrën e tifozëve duke mundësuar fitoren e titullit kampion. /abcnews.al